May 4, 2024
Rajon - Botë

Erdoğan lidhur me ngjarjet në Izrael: Turqia u bën thirrje palëve të veprojnë me vetëpërmbajtje

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha se “Türkiye u bën thirrje palëve që nën dritën e ngjarjeve këtë mëngjes në Izrael të veprojnë me vetëpërmbajtje dhe të qëndrojnë larg hapave që përshkallëzojnë tensionet”, raporton Anadolu.

Erdoğan mbajti një fjalim në Kongresin e katërt të jashtëzakonshëm të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në kryeqytetin Ankara.

Në fjalën e tij, Erdoğan vuri në dukje se do të intensifikojnë përpjekjet diplomatike për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon ndërkohë që vazhdojnë në mënyrë të vendosur luftën kundër terrorizmit.

“Ne përpiqemi t’i zgjidhim problemet tona përmes dialogut dhe diplomacisë me të gjitha vendet e rajonit tonë, duke filluar nga fqinjët tanë. Është axhenda prioritare që të ndalet gjakderdhja në rajon, nga Lindja e Mesme në Kaukaz, nga Ballkani në Detin e Zi. Rruga për këtë kalon përmes mbrojtjes së drejtësisë dhe ligjit ndërkombëtar”, theksoi Erdoğan.

Ai tha se do të vazhdojnë të qëndrojnë kundër çdo përpjekjeje dhe çdo pushtimi që gërryen statusin historik dhe fetar të kibles së parë, xhamisë Al-Aksa. “Si Türkiye u bëjmë thirrje palëve që nën dritën e ngjarjeve këtë mëngjes në Izrael të veprojnë me vetëpërmbajtje dhe të qëndrojnë larg hapave që përshkallëzojnë tensionet”, tha Erdoğan.