April 29, 2024
Diaspora

Epilogu i lumtur i një intelektuali të persekutuar në Maqedoninë e Veriut

Biografia e Isa Ramadan Gashit, i lindur më në vitin 1953 në fshatin Begracë dhe më pas në moshë të vogël i shpërngulur së bashku me familjen në Shkup, fillimisht është rrëqethëse, që më pas të ndryshojë kahen në një përfundim të lumtur.

Në kushte tejet të rënda ekonomike, ai studioi degën filozofi-sociologji në Prishtinë. Për shkak të rrethanave të asaj kohe, ai nuk mundi të punësohej për një kohë të gjatë duke qenë në shënjestër të sistemit të atëhershëm komunist, i cilësuar si “nacionalist e irredentist” shqiptar.

Pas disa vitesh injorimi e keqtrajtimi shpirtëror, më në fund ai u punësua si profesor në Gjimnazin Zef Lush Marku” të Shkupit, ku ligjëroi filozofi-sociologji. Gjatë periudhës si profesor kishte hasur disa sfida si shumë intelektualë shqiptarë të tjerë kur edhe pas disa vitesh përvojë pune u “detyrua” ta braktisë punën dhe pak kohë më pas u largua drejt Zvicrës.

Aty, ai punoi deri në pensionim dhe vazhdon të jetojë akoma aty. Në Zvicër u detyrua të shkojë si pasojë e kushteve të rënda ekonomike, por edhe problemeve politike të cilat intelektualëve dhe kontribuesve shqiptarë ua shkaktonte politika e atëhershme në Maqedoninë e Veriut. Për fat të tij të mirë, arriti të punojë por edhe të jetojë në Zvicër ku edhe u pensionua.

Për këtë vend të bukur alpik, ai ka një mendim shumë të mirë dhe pozitiv, sidomos për zviceranët si popull por edhe Zvicrën si shtet shumë të fortë dhe me sistem të përsour të rregulluar, informon portali Shtegu. Isa Gashi momentalisht është në pension, nuk merret me diçka të veçantë pos hobit të tij, i cili është leximi dhe poashtu kohë pas kohe vjen në Shkup, pasiqë ka familjen dhe shtëpinë e tij.