May 7, 2024
Diaspora

Njihuni me Lirie (Lidya) Memeti, një biznesmene e suksesshme shqiptare në Amerikë

Intervistoi: Mirela Kanini

Në Chicago kanë shkëlqyer plot shqiptarë që kanë emigruar dhe në fusha të ndryshme. Këtë radhë sjellim para jush historinë inspiruese të një nga grave më të njohura dhe më të sukseshme, me origjinë nga Prespsa e Maqedonisë Veriore, zonjën Lirie (Lydia )Memeti. Nuk do të mjaftonte as një memuar për të treguar historine e saj por jam e sigurtë që përgjigjet e goditura që ajo ka dhënë në keto 10 pyetje do ti gjejnë inspiruese të gjithë.

⁃ Kush është Lirie Memeti?

⁃ Une jam nënë e tre fëmijëve, gjyshe e 7 nipërve dhe mbesave, bashkëshorte, presidente e shoqatës Albanian American women association, pronare e Remax Legends (lifetime achievement, top 1% around the world).

⁃ Që të arrini aty ku jeni sot sigurisht keni patur veshtirësi. Na tregoni pak mbi jetën tuaj.

-Në moshën 17 vjecare kam emigruar në Amerikë pa ditur as anglisht, pa para dhe madje me ëndrrat për shkollen të thyera në mes. Ishin vitet 70-të. U martova dhe në moshën 18 vjeçare u bëra nënë me lindjen e djalit. Në moshën 20 vjeçare u bëra nënë përsëri me lindjen e 2 vajzave binjake. Isha pra një 20 vjeçare me tre fëmijë tashmë. Më mundonte çdo ditë ideja se si do përparoja dhe kjo nuk ishte jeta që kisha ëndërruar. I ankohesha bashkëshortit që kjo nuk ishte Amerika që kisha përfytyruar unë. Dikush pastaj më tha të mos e humb shpresën se Zoti është i pari dhe Amerika e dyta, thjesht duhet të gjej rrugën time. Morëm një vendim me bashkëshortin, atë që ti dërgonin fëmijët tek vjehrra në Prespë ku i lamë për 3 vjet ndërkohë që ne punonim të mblidhnim para. Ishte një sakrificë e jashtëzakonshme larg tyre por nuk ishte e vetmja. Unë isha gruaja e parë të thyeja akullin në përparim. Në komunitetin tonë në atë kohë konsiderohej e turpshme të punonte gruaja edhe pse ishim në Amerikë. Ato nuk ngisnin makina gjithashtu ose të ndiqnin studimet. Gruaja sipas tyre e kishte vendin në shtëpi të kujdesej për burrin dhe të rriste fëmijët. Mu desh të shpërfill këtë mentalitet dhe kështu kam qënë femra e parë që kam ngarë makinën dhe e para të shkoj në shkollë për real estate broker. Theva me pak fjalë dy tabu ndërkohë që në atë kohë edhe në USA ky profesion dominohej nga burrat. Ky ishte pra një revolucion.

⁃ Kur menduat që kjo është rruga juaj?

Para se të merrja këtë drejtim për 4-5 vjet unë dhe bashkëshorti punuam shumë dhe me paratë e fituara morëm një restorant. Tërhoqëm dhe fëmijët por prapë nuk isha e kënaqur kur i shihja që i zinte gjumi nëpër kolltuqet e restorantit derisa ne të mbaronim punën. Ndaj puna si real estate broker me jepte mundësi të isha me fëmijët dhe merresha me edukimin e tyre. Njëra nga vajzat sot është doktoreshë me klinikën e saj private, njëra shkencëtare, ndërsa djali ka kompaninë e tij Iloan mortgage me shtrirje në 14 shtete të Amerikës. Vazhdimisht kam ndjekur kurse dhe programe të ndryshme për të edukuar më tej veten. Sot pothuajse të gjitha gratë e anëve tona ngasin makinën. Ndjej satisfaksion kur më përmendin që duke parë fëmijët e tu edhe ne i inkurajuam fëmijët tane të ndjekin studimet. Një vajzë që sot është producente në një nga stacionet kryesore të Chicagos. Më tha njëherë që prej teje duke të parë se sa lart u ngjite Ti, babai na lejoi të vazhdojmë shkollën. Shumë të tjera më thoshin “ I wanted to be you” dhe vërtet sot ato janë doktoresha, mësuese ect. Mua gjithashtu më janë dhënë çmime të ndryshme nga Diaspora dhe mediat Jo vetëm për arritjet por edhe për ndihmën që i kemi dhënë komunitetit e bamirësitë e organizuara.

⁃ A ishte e vështirë të hapje biznesin tënd?

Sigurisht, asgjë nuk është e lehtë në fillim por këmbëngulja dhe sakrificat janë natyra ime e dytë.

⁃ Si arritët që sot të jeni një nga “top selling companies?”

⁃ Me punë, devotshmëri dhe duke ndjekur intuitën. Përpiqesha të ndihmoja klientët në bazë te buxhetit por edhe kam inspiruar dhe drejtuar disa që sot janë kthyer në multimilionerë duke ndjekur metodat e mia dhe drejtimin tim.

⁃ A keni pasur ndonjëherë momente që keni dashur të tërhiqeni?

Jo, asnjëherë. Nuk i lë gjërat kurrë në mes të rrugës.

⁃ Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Të vazhdoj të punoj, të ndihmoj njerzit dhe të ndjek pasionin tim. Të ndihmoj gjeneratat e reja të jenë produktive.

⁃ Çfarë është një gjë që do ti rekomandoje njerzve sot për ti inspiruar?

Ndiq pasionin dhe çdo gjë që bën bëje duke dhënë maksimumin për të arritur objektivin.

⁃ Kush janë hobi tuajat?

-Noti, basketbolli, kercimi madje trajnoj në këtë fushë, udhëtimet, etj.

⁃ Një citat që ju pëlqen?

-Mos u dorëzo kurrë. Kij besim në Zot dhe Amerikën./Gazeta Dielli