May 3, 2024
Diaspora

“Jeta Muslimane Shqipetare”, revista e Shoqërisë Muslimane Shqiptare botuar para 70 viteve në SHBA

Sokol Paja

Shtypi fetar i mërgatës është pjesë e rëndësishme dhe e lavdishme e trashëgimisë kulturore, fetare e atdhetare të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Jeta Muslimane Shqipetare” si revistë e shoqërisë muslimane shqiptare në Detroit e botuar në drejtimin e klerikut dhe patriotit të shquar Imam Vehbi Ismailit përbën një përpjekje të fuqishme fetare e atdhetare të bashkësisë shqiptare islame në Detroit. Revista fetare-kulturore “Jeta Muslimane Shqipetare” dilte në shtyp 4 herë në vit me 64 faqe, shqip dhe anglisht. Në numrin 2, në vitin e 6-të të botimit, tetor-dhjetor 1957, artikujt kryesorë që i paraqiten publikut janë me sfond të thelluar fetar e letrar. Artikulli kryesor në këtë numër mban firmën e Imam Vehbi Ismaili: “Bazat Shoqërore në Islam” ku detajohet libri i shenjtë “Kurani” dhe karakteristikat e një besimtari të vërtetë dhe detyrat e tij ndaj të afërmit, komunitetit dhe shtetit ku jeton. Sipas shkrimit, bazat shoqërore muslimane janë të mbështetura në principe ideale të cilat i sigurojnë jo vetëm mbrojtje të plotë të nderit, pasurisë dhe të drejtat e çdo individualiteti, por gjithashtu e bëjnë çdo anëtar të komunitetit një qenie njerëzore më mirëvepruese ndaj shokëve të tij bashkëjetues në komunitet. Shkrime të tjera në këtë numër janë: “Fetari i zjarrit” histori nga profeti i famshëm persian Saadiu, shkrimi: “Kurani dhe Fjalët e Arta të Profetit” nga Imam Vehbi Ismaili, shkrimi: “Naim Frashëri” poet i mirësisë shkruar nga prof.dr.Namik Ressuli, shkrimi: “Kimja-I-Seadet”- Dituri Botënore shkruar nga Ahmet Ramo. Faqet shqip të këtij numri përfundojnë me dy kronika: “Shqiptarët e Australisë ndihmojnë Shoqërinë Muslimane të Detroitit” dhe “Raporti i Kongresit Musliman Shqipetar”. Përveç 32 faqeve në gjuhën shqipe, revista fetare-kulturore “Jeta Muslimane Shqipetare” kishte edhe 32 faqe që botoheshin në gjuhën angleze me bazë Kuranin dhe interpretime të ndryshme rreth librit të shenjtë të muslimanëve.

Komunitetet fetare në mërgatën shqiptare të Amerikës kanë pasur historikisht dhe vazhdojnë dhe sot të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në mjedisin komunitar shqiptar. Nëpërmjet shtypit fetar, krerët e komuniteteve fetare shqiptare në Amerikë kanë qenë një zë shumë i fortë për çështjen kombëtare, për bashkëpunimin komunitar e ndërkomunitar, për ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë e identitetit kombëtar por mbi gjitha bashkimin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtypi fetar shqiptar në Amerikë përgjatë gjithë veprimtarisë publicistike, edukative e atdhetare ka luajtur një rol specifik në rritjen e ndërgjegjes fetare, patriotike, atdhetare e kulturore e shoqërore të shqiptarëve në Amerikë e jo vetëm.
Imam Vehbi Ismaili ka qenë themeluesi i të parës Qendër Islame Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lindi në Shkodër më 25 nëntor 1919 dhe ndërroi jetë në Harper Woods, Detroit, 20 maj 2008. Imam Vehbi Ismaili, personalitet i shquar fetar e atdhetar, drejtoi revistën “Jeta Myslimane Shqipetare” me 64 faqe, shqip-anglisht, gjithsej 32 numra, 8 vite histori botimi. Kontributi i kësaj reviste ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për komunitetin fetar e kombëtar shqiptar në Detroit.