Shkruan: Elvis Naçi
Ai është biri yt!
Po, po, është biri yt, i cili mezi po mbledh lekët për t’u shkolluar në stomatologji. Mos e dhuno! Ato pamje na vranë të gjithëve. Ruaje urrejtjen për një kohë tjetër, për dikë tjetër jashtë kufijve të shqiptarisë, dhe jo për njëri-tjetrin.
Ne duhet t’ua shpëtojmë jetën fëmijëve, sepse ata janë e ardhmja. Imagjinoni prindërit, kur i goditni fëmijët pa asnjë arsye, ndërkohë që ata po qëndrojnë paqësisht. Sa lot derdhin ata prindër, sa dhimbje mbartin në zemrat e tyre!
I dashur protestues, kujdes pronën private! Ai që e zotëron atë pronë rrit fëmijë, ashtu siç po të rrisin edhe ty prindërit, me shumë sakrifica.
Unë nuk jam marrë kurrë me politikë, por më dhemb shpirti për djalin që u përplas përtokë, ndërkohë që po qëndronte paqësisht. Më dhemb shpirti për çdo biznes të ngritur me djersë, që shkatërrohet, dhe për prindërit që do të duhet, mes sakrificash, ta ringrejnë atë.
O Zot, ruaje vendin tonë! O Zot, ruaje rininë tonë! Shëroji të plagosurit! O Zot, qetësoje çdo individ dhe çdo mendje të dhunshme që kalon në dhunë shtazarake ndaj të rinjve.
O Zot, Ti je i Plotfuqishëm! Sill paqe dhe urtësi mes nesh. 🤲🏻

