Shkruan: Ramazan Bekteshi

Shqipëria dhe Kosova janë të rraskapitura dhe të tradhtuara nga pabesitë e Ramës. Shqipëria nuk mund t’ia falë kurrsesi Ramës privatizimin e shtetit për veten dhe oligarkët e tij; njollosjen e imazhit të vendit me akuzat për lidhje me narkotrafikun; shtypjen e kundërshtarëve politikë me paratë e shtetit dhe përmes aleatëve ndërkombëtarë, si në rastin e agjentit të FBI-së; si dhe shitjen e pronave publike e private pa dijeninë e pronarëve apo të institucioneve përkatëse. Rama u bë më i madh se shteti. Prandaj, duam ikjen e Ramës, por jo shkrumbimin e Tiranës!

Kosova ndihet po ashtu e tradhtuar, ndoshta më shumë se kurrë në historinë e saj, për sa kohë në krye të Shqipërisë është ai që është cilësuar si “kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia”.

Për hatër të Serbisë, Rama krijoi nismën e Ballkanit të Hapur; për hatër të vëllait të tij politik, Vuçiqit, nisi të fliste për shkëmbimin e territoreve të Kosovës. Veriun e Kosovës e cilësoi si “tokë të askujt” dhe kërkoi që ai të menaxhohej nga KFOR-i, e jo nga Policia e Kosovës. Në një linjë me Vuçiqin, kërkoi një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, ndonëse pavarësia e saj u shpall më 2008.

" "

Në arenën ndërkombëtare, Rama, i doli në krah Serbisë, duke dëmtuar pozicionin e udhëheqjes së Kosovës. Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë ende nuk ka miratuar një rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë, edhe pas 27 vjetësh nga përfundimi i luftës. Prandaj, duam ikjen e Ramës, jo flakët Tiranës!

Duam ndryshimin e pushtetit, jo rrënimin e shtetit. Këtu qëndron dallimi mes një proteste popullore dhe një projekti shkatërrimi. Tirana nuk është Edi Rama, as Shqipëria nuk është Partia Socialiste dhe as shteti nuk është pronë private e Ramës.

Rama, largimi yt i shuan flakët e zemërimit, i mbyllë plagët e padrejtësive dhe i hapë rrugë përgjegjësisë politike e institucionale. Ti e ke dëmtuar rëndë shtetin e së drejtës dhe atë që kërkojnë qytetarët është e thjeshtë: llogaridhënie, drejtësi dhe dinjitet.

Por thirrja “Rama ik!” nuk duhet të lexohet si thirrje për të djegur gjithçka, por le të jetë një kërkesë që pushteti të mos jetë i përjetshëm. Protesta është një e drejtë demokratike që me qeverisjen e Ramës, janë cenuar rëndë në Shqipëri.

Tirana ka një histori shumë më të gjatë se karriera politike e çdo kryeministri, andaj Tirana nuk mund të shndërrohet në peng të një pushteti, por as të shkrumbohet nga zemërimi qytetar.

Shqipëria ka nevojë për institucione demokratike, për drejtësi që nuk varet nga vullneti i kryeministrit dhe për një Tiranë që zhvillohet në shërbim të qytetarëve, jo si ‘monument’ i pushtetit të radhës.

Rama nuk është Shqipëria as Tirana sepse Shqipëria nuk mund të jetë peng i askujt.

Rama, ik! Tiranës nuk i duhen flakët e zemërimit që ka ndezur qeverisja jote; Shqipërisë i duhet drejtësi, liri dhe një e ardhme pa frikë.
Rama duhet te largohet nga pushteti, por Tirana nuk duhet ta paguaj çmimin e zemërimit ndaj tij!

sqShqip