Ilir Seferi nga Skenderaj, së bashku me familjen e tij, po dëshmojnë sukses në Gjermani, ku udhëheqin HOTEL ALTE POSTHALTEREI, një hotel të njohur për organizimin e konferencave dhe ngjarjeve të veçanta, i cili ndërthur historinë shekullore me komoditetin modern.
Hoteli ndodhet në Zusmarshausen, në zemër të Parkut Natyror Westliche Wälder, mes qyteteve Augsburg dhe Ulm, dhe ka një histori që daton që nga viti 1489.
HOTEL ALTE POSTHALTEREI nuk është thjesht një hotel, por një objekt me rëndësi të veçantë historike. Dikur shërbente si një stacion i rëndësishëm postar në rrugën Vjenë–Paris, ku, sipas historisë së tij, kanë qëndruar edhe personalitete të njohura, përfshirë Napoleonin dhe Mbretëreshën Marie Antoinette.
Sot, hoteli ofron ambiente moderne, organizim të konferencave dhe ngjarjeve të ndryshme, si dhe shërbime cilësore për mysafirët, duke ruajtur njëkohësisht atmosferën dhe trashëgiminë historike të ndërtesës.
Përveç suksesit në menaxhimin e hotelit, familja Seferi është vlerësuar edhe për mikpritjen e ngrohtë shqiptare. Vizitorët kanë shprehur mirënjohje të veçantë për pronarin Ilir Seferi dhe familjen e tij, duke veçuar kujdesin, mikpritjen dhe atmosferën familjare që ofrojnë.
Ky është një tjetër shembull i suksesit të bashkatdhetarëve në diasporë, të cilët me punë, përkushtim dhe profesionalizëm po ndërtojnë emër dhe po përfaqësojnë me dinjitet vendlindjen e tyre./ Jepi zë

