Një tjetër sukses akademik vjen nga Presheva. Doruntin Shabani ka përfunduar me sukses doktoraturën në Institutin për Fizikë Bërthamore në Universitetin e Kölnit, në Gjermani, duke fituar titullin Doktor i Fizikës Bërthamore.
Puna kërkimore dhe disertacioni i tij shkencor janë vlerësuar me notën më të lartë nga komisioni akademik, pjesë e të cilit ishin profesorët Christoph Langer, Dennis Mücher, Kathrin Wimmer dhe Annette Schmidt.
Ky rezultat dëshmon përkushtimin dhe angazhimin e Shabanit në fushën e shkencës dhe përbën një hap të rëndësishëm në karrierën e tij profesionale e akademike.
Arritja e tij përbën një lajm krenarie për Preshevën dhe një dëshmi se të rinjtë shqiptarë po shënojnë suksese të rëndësishme edhe në institucionet prestigjioze akademike të Evropës.

