May 9, 2024
Maqedoni

Dr. Sherif Krasniqi kreu tri operacione me sukses, ra në komë dhe ndërroi jetë! Në vitin 2001 u ndihmoi ushtarëve nga Maqedonia

Tri operacione i kreu me sukses dhe ra në komë. Gjendja shëndetësore iu keqësua gjatë kohës së kujdestarisë në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa”në Prizren.

Dr.Sherif Krasniqi, kirurg i përgjithshëm, e humbi betejën me sëmundjen, përkundër përpjekjeve të kolegëve të tij, për ta shpëtuar, dy javë pas trajtimit mjekësor. Me vdekjen e tij, transmeton Lideri.mk, shëndetësia e Prizrenit pësoi një humbje të madhe.

Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa”në Prizren, Narqize Arënliu- Hoxhaj, tregon se kirurgut Sherif Krasniqi iu keqësua gjendja shëndetësore pasi kreu tri operacione, gjatë kohës sa ishte kujdestar.

“Gjendja shëndetësore e doktor Sherifit, papritmas keqësohet në orët e para të datës 19 janar, duke qenë në detyrë të mjekut kujdestar në kirurgji dhe duke kryer tri intervenime kirurgjike para se gjendja e tij të keqësohej”, tregon Arënliu-Hoxhaj.

Sipas saj, kjo dëshmon se doktor Sherifi me përgjegjësi e përkushtim të madh kreu të gjitha detyrat dhe obligimet që kishte para vetes, duke dhënë shembullin e mjekut të respektuar nga të gjithë, në veçanti nga pacientët.

“Për aq kohë sa e kam njohur, doktor Sherifi ishte njeri modest, i dashur, i afërt, kolegial dhe vizionar me virtyte të larta profesionale, kombëtare dhe njerëzore. Ai me kohë e kishte kuptuar se të jesh në shërbim të popullit tënd dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmë edhe në kohët më të vështira është detyrë profesionale, fisnike e humane. Jemi dëshmitar se doktor Sherifi ishte shembull i mjekut të përkushtuar për punë, ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe shërimin e plagëve në luftë dhe në paqe. Ai deri në momentet e fundit të punës aktive në spital ishte në kryerje të detyrës”, shprehet ajo.

Dr. Sherif Krasniqi përfundoi Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Kosovës. Shkollimin specialistik për Kirurgji të Përgjithshme e kreu në vitin 2004, transmeton Lideri.mk. Ai u shërbeu qytetarëve për vite me radhë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.

Dr. Eqrem Shala, tha se kolegu i tij, doktor Sherif Krasniqi ishte njëri ndër mjekët më të kërkuar nga pacientët.

“Ishte njeri miqësor, i ndershëm, human dhe profesionist i mirë. Nga duart e tij u shëruan shumë plagë si në luftë ashtu edhe në paqe. Si kirurg, doktor Sherifi kishte numrin më të madh të operimeve në repart, numrin më të madh të sisteimeve dhe njëkohësisht numrin më të madh të kujdestarive”, tregon Shala.

Edhe Dr. Hasan Arzoallxhiu, e vlerëson si shembullin më të mirë të raportit me pacientë dhe kolegë, doktor Sherif Krasniqin.

Sipas tij, doktor Sherifi gjithmonë prioritet kishte shërbimin ndaj pacientëve.

“Dr.Sherif Krasniqin e kam njohur nga koha e studimeve dhe kam pasur mendim pozitiv për të. Por puna në spital dhe kontakti si kolegë më ka mundësuar që ta njoh më shumë dhe më mirë atë. Ka qenë një njeri i mirë në kuptimin më të mirë të fjalës. I gatshëm gjithmonë për pacientë dhe kolegët e tij dhe kolegët e tij e dinë më mirë se dera e tij ishte e vetmja derë që nuk ka refuzuar kërkesat e kolegëve për t’i zëvendësuar në kujdestari. Doktor Sherifi ishte dhe do të mbetet i pazëvendësueshëm për spitalin tonë”, shprehet ai.
Figura e doktor Sherif Krasniqit është vlerësuar lartë edhe nga kolegu i punës, Dr. Shpend Zajmi.

“Ishte njeri i veçantë, i dashur dhe i respektuar, duke dhënë një kontribut të madh në dimensionin njerëzor, profesional e kombëtar”.

Dr. Sherif Krasniqi ishte mjek i UÇK-së. Ai ishte i njohur për kontributin e tij të madh në shërimin e ushtarëve dhe civilëve të luftës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si dhe ka kontribuar në shërimin e ushtarëve nga krismat e para në rajonin e Vrrinit të Prizrenit.

Lexo edhe: Shkon në pesë numri i të plagosurve në Tiranë, në mesin e tyre dyshohet se është edhe një fëmijë
Dr. Halil Cikaj, mjek i UÇK -së dhe TMK-së tha se, doktor Sherifi dha kontribut të madh gjatë luftës dhe pas saj.

Ai kujton bashkëpunimin qw kishte me doktor Sherifin, pasluftës si mjek i TMK-së.

“Doktor Sherifi edhe pse nuk ishte në strukturë të TMK-së , ai ka qenë çdo herë afër pjesëtarëve të TMK-së, duke ju ndihmuar në forma të ndryshme në aspektin shëndetësor”, tregon ai për “PrizrenPress”.

Cikaj tha se me doktor Sherifin ka bashkëpunuar në logjistikën e shëndetësisë, gjatë luftës në Maqedonin e Veriut.

“Kontributi i tij në shërimin e ushtarëve dhe civilëve të luftës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka qenë i jashtëzakonshëm”, shprehet Cikaj.

Ish-komanda i UÇK-së, Zafir Berisha tha se doktor Sherifi ka bërë shumë për Kosovën.

“Ishte njeri që nuk u ndal asnjëherë për t’i shërbyer lirisë së Kosovë. Ai shëroi plagët e luftës për të jetuar në liri”, vlerëson Berisha.

“Në momentet vendimtare për Kosovën, Sherifi si mjek ju bashku radhëve të UÇK-së duke dhënë kontribut të madh në jetësimin e Spitalit Ushtarak në Malësi të Vërrinit, ku shëroi shumë të plagosur nga zona të ndryshme të Kosovës”, kujton Berisha .

Dr. Sherif Krasniqi u varros në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit./PrizrenPress.com/