May 15, 2024
Maqedoni

Drejtori Gazmend Abdija prezantoi mundësitë e Investimit në vendin tonë para Kompanisë “Magna Investment” në Abu Dhabi

Drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit në RMV, z. Gazmend Abdija, gjatë qëndrimit të tij në Abu Dhabi, ka shfrytëzuar mundësinë për të prezantuar potencialin e investimeve në vendin tonë para gjigandit “Magna Investment” nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Magna Investment” është një kompani investimesh që operon në nivel ndërkombëtar dhe është e specializuar në fushën e investimeve të huaja dhe zhvillimit të projekteve të mëdha. Kompania ka një histori të suksesshme në realizimin e investimeve në shumë sektorë.

Drejtori, z. Abdija me shumë Kënaqësi ndanë lajmin se “Magna Investment” tregoi interes të madh për të investuar në vendin tonë. Është Diskutuar për mundësitë e zhvillimit të sektorit të agrikulturës dhe njëkohësisht për të krijuar mundësi të reja për zhvillim ekonomik në vendin tonë.

Në këtë kontekst, është dakorduar që përfaqësuesit e “Magna Investment” do të vizitojnë vendin tonë në një të ardhme të afërt, për të hulumtuar më shumë dhe për të identifikuar projektet konkrete të investimit. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin agrikulturor dhe sektorë të tjerë.

Po punojmë me shumë përkushtim për të krijuar një mjedis të favorshëm investimi, që tërheq investitorët e huaj dhe inkurajon zhvillimin e sektorit të agrikulturës dhe sektorëve tjerë. Investimet e huaja janë një motor i rëndësishëm për rritjen dhe modernizimin e ekonomisë sonë.

Bashkërisht, ne mund të krijojmë një të ardhme të ndritshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut!