Prof. Asoc. Dr. Pranvera Ibrahimi – Jashari, një nga emrat më të spikatur të kardiologjisë në Kosovë, do të jetë ndër ligjërueset e Kongresit të 9-të të Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës, që mbahet më 10 qershor 2026.
Ajo ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 2010, ndërsa studimet e doktoratës i ka përfunduar në Universitetin e Umeås në Suedi në vitin 2015. Specializimin në Mjekësi Interne – Kardiologji e përfundoi në vitin 2019 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Aktualisht ushtron detyrën e Specialistes së Kardiologjisë në Klinikën e Kardiologjisë të QKUK-së dhe njëkohësisht është Profesoreshë e Asociuar në Kolegjin UBT, ku angazhohet në edukimin e brezave të rinj të profesionistëve shëndetësorë.
Karriera e saj shkencore numëron rreth 50 publikime në revista prestigjioze ndërkombëtare, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e kardiologjisë. Për arritjet e saj është shpërblyer me çmimin “Shkencëtarja e Re e Vitit 2015” nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, si dhe me Çmimin për Shkencëtaren e Re nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Që nga viti 2016 mban titullin Fellow e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (FESC), një vlerësim i rëndësishëm për profesionistët që japin kontribut të veçantë në kardiologji në nivel evropian.
Fushat kryesore të ekspertizës së saj përfshijnë kardiologjinë klinike, insuficiencën kardiake, ekokardiografinë dhe imazherinë kardiovaskulare, duke e renditur ndër profesionistet më të vlerësuara të kësaj fushe në Kosovë.
#abcnewskosova #kardiologjia #kongresiikardiologeve #pranveraibrahimijashari #qkuk #ubt #mjekesia #shendetesia #kosova

