Shqipëria ka hapur Shkollën Kombëtare të Fluturimit, teksa kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se do ta ftojë edhe Kosovën nëse ka interesim që të stërvitë ushtarakët e saj në këtë shkollë.
Në ceremoninë që u zhvillua në Komandën e Forcës Ajrore në Rinas, afër Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Rama tha se kjo shkollë do të shërbejë si qendër rajonale trajnimi.
“Ministri i Mbrojtjes është ngarkuar të kërkojë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, nëse ka interes për të stërvitur këtu dhe për të certifikuar këtu dhe pilotët të ardhshëm të Republikës së Kosovës dhe po ashtu të njëjtën gjë, edhe për dy vendet e tjera fqinje që janë dhe anëtare të NATO-s”, u shpreh ai.
Ndonëse nuk ka fluturake ushtarake, sikurse aeroplanë apo helikopterë, Forca e Sigurisë së Kosovës i dërgon në trajnime ndërkombëtare për pilotë pjesëtarët e saj. Pilotët e FSK-së kanë kryer trajnime edhe në Shqipëri në të kaluarën.
Sipas Qeverisë shqiptare, hapja e kësaj shkolle është e rëndësishme në modernizimin e Forcës Ajrore dhe fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se Shkolla do të përgatisë pilotë dhe kontrollorë fluturimi sipas metodologjive më të avancuara të NATO-s – aleancë ku bën pjesë Shqipëria.
“Investimet në infrastrukturë, teknologji dhe mbi të gjitha, në zhvillimin e burimeve njerëzore janë pjesë e një strategjie afatgjatë, që synon ta bëjë Shqipërinë një aleate më të aftë, më të besueshme në kuadër të NATO-s”, tha Nufi.
Njëzetepesë kandidatët e parë do të ndjekin programin e formimit për pilotë dhe kontrollorë të fluturimit. Forca Ajrore Shqiptare do të ketë pesë pilotë të trajnuar në vit për secilin nga pesë vjetët e ardhshëm, si dhe personelin teknik mirëmbajtës të dy helikopterëve mësimorë, Bell 505.
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, tha se ky projekt do të ishte vështirë të realizohej pa përvojën e kompanisë izraelite “Elbit Systems”, që e cilësoi si një prej ekselencave globale të industrisë ushtarake. Rama tha se të rinjtë që do të certifikohen nga kjo shkollë nuk do të jenë thjesht pilotë të Shqipërisë, por të NATO-s, dhe do të fitojnë aftësitë për të shërbyer në çdo vend dhe për çdo trupë të forcave të NATO-s në rast nevoje.

