Shkruan:Halim Hyda
Reforma e diplomacisë nuk mund të jetë një proces i kufizuar në ndryshime formale, strukturore apo administrative. Ajo duhet të jetë, para së gjithash, një përpjekje për ta ngritur në një nivel më të lartë profesionalizmin, përgjegjësinë institucionale dhe cilësinë e përfaqësimit të shtetit në botë. Diplomacia e kohës sonë kërkon institucione të hapura, profesionale dhe të afta për t’iu përgjigjur ndryshimeve të shpejta të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Assesi nuk mund të vijnë në shprehje reformat e sipërfaqsishme. Një shërbim i jashtëm që funksionon mirë nuk mund të jetë një trupë e mbyllur dhe e privilegjuar, e shkëputur nga nevojat e qytetarëve, e aq më pak të shërbejë si instrument i interesave të ngushta partiake. Misioni i tij është t’i shërbejë shtetit dhe qytetarëve të tij, kudo që ata ndodhen. Kjo vlen veçanërisht për diasporën tonë të shkëlqyeshme, e cila, përmes veprimtarisë së saj, investimeve dhe lidhjeve të vazhdueshme me vendin, jep një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
Shërbimi ynë i Jashtëm në Maqedoninë e Veriut është ndër institucionet kyçe përmes të cilave shteti përfaqëson veten në botë. Për këtë arsye, ai duhet të mbështetet në kuadrin më të përgatitur, më profesional dhe më të përgjegjshëm që mund të ofrojë shoqëria. Përfaqësimi diplomatik nuk është vetëm çështje protokolli apo formaliteti shtetëror; ai është shprehje e kulturës institucionale, e seriozitetit të shtetit dhe e aftësisë së tij për të mbrojtur interesat kombëtare dhe strategjike.
Përmes një kuadri të tillë ndërtohet besimi me aleatët dhe partnerët, forcohen marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mbrohen interesat politike, ekonomike dhe strategjike të vendit. Ka diplomatë që ndër vite e kanë përfaqësuar shtetin me seriozitet dhe dinjitet, shpesh edhe në rrethana të vështira. Numri i tyre mund të jetë i vogël, por kontributi i tyre është i rëndësishëm. Këta njerëz meritojnë respekt dhe vlerësim adekuat – një praktikë që, fatkeqësisht, ende nuk është bërë pjesë e qëndrueshme e kulturës sonë institucionale.
Realiteti i ri në politikë dhe diplomaci
Realiteti ndërkombëtar ka ndryshuar rrënjësisht dhe diplomacia nuk mund të zhvillohet më sipas modeleve të dikurshme. Bota është bërë më e ndërlidhur, por njëkohësisht edhe më komplekse. Sot, diplomacia vepron në një hapësirë ku politika, siguria, ekonomia, teknologjia, energjia, migracioni dhe ndryshimet klimatike ndërthuren dhe ndikojnë drejtpërdrejt njëra-tjetrën.
Në Bruksel, Paris, Berlin, Uashington apo në qendra të tjera të rëndësishme të vendimmarrjes botërore, politika e jashtme nuk mund të ushtrohet duke dërguar si ambasadorë apo të dërguar specialë persona pa përgatitjen e nevojshme profesionale, apo thjesht kuadro që mbeten pa angazhim në qeveri. Përfaqësimi diplomatik nuk mund të shndërrohet në zgjidhje për një problem të brendshëm politik. Kjo nuk është diplomaci.
Diplomacia është përgjegjësi shtetërore. Kur një shtet dërgon përfaqësuesin e tij në një kryeqytet të rëndësishëm, ai nuk dërgon vetëm një individ; ai dërgon atje një pjesë të imazhit, kredibilitetit dhe seriozitetit të vet institucional. Prandaj, cilësia e përfaqësimit është në një masë të konsiderueshme edhe pasqyrë e cilësisë së vetë shtetit.
Kjo çështje ndërthuret drejtpërdrejt me sigurinë, perspektivën e vendit, zhvillimin ekonomik, energjinë, migracionin dhe mjedisin shoqëror. Diplomacia e sotme kërkon njohuri të thelluara dhe ekspertizë konkrete në fusha të reja: nga politikat e brendshme të Bashkimit Evropian te rregullativa ekonomike, konkurrenca, energjia dhe klima, si dhe në hapësira gjeografike ku tradicionalisht nuk kemi qenë të fokusuar.
Në këtë realitet të ri, diplomati nuk mund të jetë vetëm bartës i një titulli. Ai duhet të jetë njohës i proceseve, lexues i zhvillimeve dhe ndërmjetës i interesit shtetëror. Diplomacia e vërtetë nuk matet vetëm me numrin e takimeve, me fotografitë apo me ekspozimin publik. Ajo matet me aftësinë për të ndërtuar marrëdhënie, për të krijuar mirëkuptim, për të mbrojtur interesin dhe për të hapur rrugë dialogu edhe atëherë kur marrëdhëniet janë të vështira.
Domosdoshmëria e meritokracisë dhe reformave kadrovike në MPJ
Mbi të gjitha, diplomacia kërkon shkathtësi të reja veprimi, aftësi më të thella negociuese, përshtatshmëri dhe koordinim më të lartë e më efektiv. Vendi ka nevojë për më shumë substancë sesa imazh, për më shumë ndikim sesa ekspozim publik dhe për një diplomaci që shkon përtej reklamës pa bazë dhe konsumit të brendshëm.
Në diplomaci, dukshmëria nuk është domosdoshmërisht ndikim dhe zhurma nuk është gjithmonë rezultat. Shpesh, puna më e rëndësishme diplomatike zhvillohet në heshtje: në biseda të kujdesshme, në negociata të durueshme, në mirëkuptime të ndërtuara gradualisht dhe në marrëdhënie që kërkojnë vite për t’u konsoliduar.
Reformat e Shërbimit të Jashtëm duhet të kenë një pikësynim të qartë: krijimin e një sistemi që shpërblen meritokracinë, nxit risinë dhe investon seriozisht në formimin profesional. Një shërbim i jashtëm modern nuk mund të bazohet vetëm te precedentët apo te koha e shërbimit, por te përputhja e kapaciteteve profesionale me kërkesat e diplomacisë së lartë.
Meritokracia nuk është privilegj i individit; ajo është mbrojtje e institucionit. Kur njeriu i duhur vendoset në vendin e duhur, fiton institucioni dhe, nëpërmjet tij, fiton shteti. Kur kriteret profesionale zëvendësohen nga interesa të tjera, dëmi nuk mbetet vetëm individual; ai shndërrohet në humbje institucionale.
Një reformë e mirëfilltë kadrovike duhet të krijojë hapësirë për përvojën, por njëkohësisht edhe për dijen dhe energjinë e brezave të rinj. Diplomacia ka nevojë për kujtesë institucionale, por edhe për risi. Pa kujtesë, institucioni humb përvojën; pa risi, ai humb aftësinë për t’iu përgjigjur kohës.
Forcimi i institucioneve dhe i Akademisë Diplomatike
Dobësia në instancat e larta pasqyron një realitet ku politika e jashtme, në jo pak raste, zhvillohet në zyrat e partisë dhe jo në institucionet e shtetit. Ky është një problem që nuk mund të anashkalohet nëse synohet ndërtimi i një diplomacie moderne dhe profesionale.
Shteti duhet të flasë jashtë vendit me një zë të vetëm, të koordinuar dhe profesional. Kjo nuk do të thotë të mohohet pluralizmi politik, por të ruhet një parim themelor: përtej dallimeve politike, përfaqësimi ndërkombëtar duhet të mbështetet në interesin shtetëror dhe në një strategji të qartë të politikës së jashtme.
Për këtë kërkohet:
Vlerësim profesional dhe i rregullt për të gjithë, si garanci për cilësi, përgjegjësi dhe zhvillim të karrierës, e jo si masë ndëshkuese.
Funksionim i mirëfilltë i Akademisë Diplomatike, e cila nuk duhet të jetë thjesht një strukturë burokratike, por një qendër ku ndërthuren formimi akademik, përvoja praktike, analiza e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional.
Akademia Diplomatike duhet të jetë vendi ku diplomati i ri nuk mëson vetëm rregullat e protokollit, por edhe kulturën e negocimit, artin e dëgjimit, disiplinën e komunikimit dhe përgjegjësinë që mbart përfaqësimi i shtetit. Diplomacia nuk mësohet vetëm nga librat, por as nuk mund të ushtrohet pa dije. Ajo është bashkim i teorisë me përvojën, i dijes me maturinë dhe i interesit shtetëror me përgjegjësinë njerëzore.
Në këtë kuptim, reforma e diplomacisë duhet të jetë edhe reformë e kulturës institucionale. Institucionet nuk forcohen vetëm me ligje; ato forcohen me njerëz që besojnë në institucionin që përfaqësojnë dhe që e kuptojnë se posti publik nuk është privilegj personal, por përgjegjësi ndaj shtetit dhe qytetarëve.
Reformat nuk mund të zgjidhen me një ligj të vetëm apo me një akt të izoluar. Ato kërkojnë kohë, durim, lidership me përvojë, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë institucionale për të vendosur standarde të qëndrueshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në vetë shtetin.
Në fund të fundit, reforma diplomatike nuk duhet të shihet si një ndryshim teknik i strukturave, por si një përpjekje për të rikthyer në qendër të Shërbimit të Jashtëm atë që është thelbësore: profesionalizmin, meritën, përgjegjësinë dhe interesin shtetëror.
Meqë diplomacia nuk është vetëm mënyra se si një shtet flet me botën; ajo është edhe mënyra se si një shtet e kupton veten përballë botës.
Një diplomaci e mirëfilltë nuk ndërtohet mbi zhurmën e ditës, por mbi dijen, përvojën, maturinë dhe vizionin për të ardhmen. Ajo nuk kërkon vetëm njerëz që dinë të flasin, por njerëz që dinë të dëgjojnë; nuk kërkon vetëm përfaqësues që dinë të duken, por diplomatë që dinë të bindin; nuk kërkon vetëm prani, por besueshmëri dhe rezultat.
Dhe pikërisht këtu qëndron kuptimi i reformës: jo të ndryshojë vetëm njerëzit dhe strukturat, por të ndryshojë standardin me të cilin shteti e ndërton përfaqësimin e vet në botë.
Sepse një diplomaci e fortë nuk është luks i shtetit. Është një nga kushtet e forcës, dinjitetit dhe perspetives së vendit.

