Munaver Nuhiu
Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së, dëgjova dhe lexova shumë opinione, analiza dhe fakte. Ndoshta jo sa duhet për të kuptuar çdo faqe të një procesi gjyqsësor madhor, por mjaftueshëm për të kuptuar diçka për ne si shqiptarë. Jemi shumë më shumë të përçarë sesa duam ta pranojmë.
Kisha menduar se, pavarësisht dallimeve politike, çështja e Kosovës na bashkonte. Sot nuk jam i sigurt për këtë. Secili zë publik dhe individ anonim flet me bindjen se e di të gjithë të vërtetën, ndërsa shumë pak prej nesh pranojnë se nuk e dinë të plotë. Ka madje njerëz që e shpallin çdo vendim të Hagës si drejtësi të padiskutueshme. Ka shumë të tjerë që nuk pranojnë as mundësinë që gjatë luftës të jenë kryer krime. Mes këtyre dy qëndrimeve të skajshme po humbasim aftësinë për të dalluar nuancat dhe për të menduar si komb që respekton historinë e vet.
Viktimat mbeten viktima, pavarësisht emrit, përkatësisë apo bindjes së tyre. Por, respekti për viktimat e të gjithë palëve nuk na detyron të heshtim përballë pyetjeve që ngre ky proces. UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes, dëbimeve, vrasjeve etnike dhe dhunës së një shteti që kërkonte ta zhbënte praninë shqiptare në Kosovë. Asnjë përgjegjësi individuale nuk mund ta ndryshojë këtë të vërtetë historike. Lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet sikur pushtuesi dhe i pushtuari, shteti dhe viktima, të kishin qenë palë të barabarta.
Pikërisht këtu qëndron rreziku. Nëse një aktgjykim kundër individëve përdoret gradualisht për të njollosur të gjithë UÇK-në, për të vënë në dyshim luftën çlirimtare dhe, më pas, vetë shtetësinë e Kosovës, atëherë nuk kemi më të bëjmë vetëm me një çështje gjyqësore. Kemi fillimin e një lufte tjetër, jo me tanke, por me gjuhë, dokumente, interpretime dhe kujtesë selektive. Kjo është lufta e re kundër legjitimitetit politik dhe historik të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.
Nga larg e kisha idealizuar Kosovën dhe politikën e saj. Më ishin dukur më të bashkuar dhe më atdhedashës se ne në Maqedoninë e Veriut. Ndoshta kam gabuar. Edhe atje lufta për pushtet, inatet partiake dhe ndasitë e vjetra si duket po peshojnë më shumë se interesi i përbashkët. Sikur të kishim treguar po këtë kurajë ndaj sulmeve dhe krimeve ndaj shqiptarëve tek ne, sot se siguri do të kishim më shumë të drejtë morale për të dhënë leksione.
Nesër shqiptarët do ta bëjnë shqiponjën me duar, do të protestojnë dhe do të hedhin valle dhe do të këndojnë për trimërinë e heronjve. E çfarë vlere ka kjo, nëse kur zgjohemi nga gjumi heronjtë i quajmë trima dhe në mbrëmje para se të flemë i trajtojmë si kriminelë, sipas nevojës së ditës dhe interesit të partisë?
Vendimi i Hagës duhet të na bëjë të mendojmë, jo vetëm të brohorasim apo të dënojmë. Apeli dhe rruga ligjore duhet të vazhdojnë, faktet duhet të shqyrtohen. Por edhe ne duhet të zgjohemi. Sepse dobësia jonë më e madhe nuk është ajo që thonë të tjerët për ne. Është lehtësia me të cilën ne përçahemi dhe fillojmë të flasim me gjuhën e atyre që duan të na dobësojnë.
Unë do të vazhdoj të ëndërroj për forcën e kombit tim.

