Mediat ndërkombëtare kanë raportuar gjerësisht për dështimin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për të siguruar mbështetjen parlamentare për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se vendi po përballet me një tjetër krizë politike që mund ta çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Mediumi amerikan Bloomberg ka raportuar për situatën e tensionuar politike në Kosovë, duke theksuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë e re.

Sipas mediumit amerikan, deputetët u mblodhën në orët e fundit të afatit kushtetues për krijimin e kabinetit të ri, por Kurti nuk arriti të marrë miratimin e Kuvendit për përbërjen e tij ministrore.

Bloomberg shkruan se Kurti u kishte bërë thirrje deputetëve të votonin në interes të shtetit dhe qytetarëve, duke paralajmëruar se mungesa e një qeverie funksionale mund të çonte në bllokimin e buxhetit dhe në vonesat e pagave publike, pensioneve, ndihmave për fëmijë dhe furnizimeve mjekësore. Ai kishte theksuar gjithashtu se dhjetëra agjenci shtetërore vazhdojnë të funksionojnë pa mbikëqyrje për shkak të vakumit politik.

" "

Ndërkaq mediumi turk, TRT World, ka shkruar Kurti nuk arriti të marrë votat e nevojshme në Kuvend, pasi partia e tij Lëvizja Vetëvendosje (VV) siguroi vetëm 56 vota, pesë më pak se shumica e kërkuar prej 61 deputetësh. Mediumi turk shkruan se ky dështim ka thelluar paqartësinë politike në vendin më të ri të Evropës.

TRT World thekson se tani presidentja e Kosovës duhet të emërojë një kandidat tjetër për një votim të dytë, ndërsa mbetet e paqartë nëse Kurti mund të rikandidojë apo nëse do të propozohet një përfaqësues nga opozita. Në rast se as raundi i dytë nuk sjell shumicën e nevojshme, vendi mund të detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja.

sqShqip