May 21, 2024
Kosovë

Deputetja britanike: Ndëshkimi i Kosovës dhe përkëdhelja e Vuçiçit po çon në cikël dhune

Deputetja britanike, Alicia Kearns pas sulmit në veri të Kosovës ndaj policisë tha se trendi i kohëve të fundit i ndëshkimit të Kosovës dhe përkëdheljes ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç po çon në një cikël dhune dhe paqëndrueshmërie.
Kearns në një postim në rrjetin social X thekson se Mbretëria e Bashkuar ka më shumë përgjegjësi për të kontribuar në suksesin e Kosovës dhe për të siguruar që të mos ketë një rikthim të viteve ’90.
Deputetja britanike tha se duhet të ndërmerren masa tani për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për të gjithë në Ballkan.
“Shumë fakte që duhen vërtetuar pas vrasjes së një polici kosovar, por mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit, kështu që llogaridhënia është prioritet krahas një rivlerësimi urgjent për të vendosur drejtësinë dhe ekuilibrin në qendër të qasjes ndërkombëtare ndaj dialogut Serbi-Kosovë. Trendi i kohëve të fundit i ndëshkimit të Kosovës dhe përkëdheljes ndaj Vuçiçit gjithnjë e më autokratik po na çon më thellë në një cikël dhune, paqëndrueshmërie dhe keqdashjeje, ndërsa drita në fund të tunelit e normalizimit dhe anëtarësimit në BE për të dy vendet errësohet gjithnjë e më shumë”, tha ajo.
Ajo thekson se duhet të hetohen grupet paraushtarake përgjegjëse për vrasjen e oficerit Afrim Bunjaku.
Për ligjvënësen britanike KFOR-i dhe EULEX-i duhet të ndihmojnë në hetime dhe të ndajnë të gjitha informacionet mbi depot e armëve në veri.
Ajo shtoi se Mbretëria e Bashkuar, si anëtare e QUINT-it duhet të marrë një rol më aktiv në dialogun e paqes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ndërsa nga KFOR-i kërkon shtimin e trupave.
Nga Qeveria e Serbisë ajo kërkon që të angazhohet për normalizim dhe t’i japë fund përdorimit të retorikës radikalizuese dhe armatimit, e të ndarjeve etnike që nxisin urrejtje.
Kearns iu drejtua BE-së dhe SHBA-së që të mos i mbyllin më sytë ndaj ngjarjeve të fundit.
Deputetja thekson se edhe BE-ja duhet të angazhojë pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës për të mbështetur trajektoren e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s, duke forcuar paprekshmërinë e integritetit të saj territorial.
“Mbretëria e Bashkuar duhet të udhëheqë përpjekjet për një aleancë të sigurisë ndërmjet SHBA-së, Britanisë së Madhe, vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe Kosovës, derisa Kosova të arrijë anëtarësimin e plotë në NATO. Një marrëveshje e tillë do të adresonte shqetësimet e menjëhershme të sigurisë dhe do të hapte rrugën për stabilitet afatgjatë në rajon. Dështimi nuk është një opsion. Parandalimi në Ballkan duhet të jetë një prioritet për Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën. Duhet të ndërmerren veprime tani për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për të gjithë në Ballkan”, thekson deputetja.
Top Channel