April 27, 2024
Kosovë

Del video e serbit të “fortë” duke u gjunjëzuar para policisë speciale të Kosovës (Video)

Policia ka arrestuar serbin e njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi” si të dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të anëtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës.

Ai është arrestuar për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj, pasi protestuesit e dhunshëm të cilët kërkonin që kryetari i ri i zgjedhur i Zveçanit të mos futej në objektin komunal, sulmuan përveç KFOR-it, edhe Policisë së Kosovës e mediave.

Serbi me inicialet N.O. është marrë në mbajtje mëngjesin e së premtes në Mitrovicën e Veriut.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Protestuesit serbë nga 26 maji kanë protestuar duke kundërshtuar futjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale të tri komunave veriore – Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok.

Ndërkohë, në Twitter është shpërndarë videoja ku shihet momenti i arrestimit të të dyshuarit.