Nënkryetarja e Këshillit Qendror të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Ana Brnabiç, e cila ushtron edhe detyrën e presidentes së Serbisë, ka deklaruar se, sipas pretendimeve të saj, ka nisur një “fushatë për arrestimin” e ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Brnabiç ka shkruar në platformën sociale X se qëllimi i kësaj fushate nuk është vendosja e drejtësisë, por, siç pretendon ajo, eliminimi i Vuçiçit nga skena politike.
Ajo ka shtuar se gjatë fushatës zgjedhore Vuçiçi ishte penguar të fliste, ndërsa gjatë heshtjes zgjedhore ishte sulmuar dhe ishin përhapur, sipas saj, të pavërteta për të dhe familjen e tij.
Brnabiç ka vlerësuar se paralajmërimi për marrjen në pyetje dhe arrestimin e mundshëm të Vuçiçit lidhet me hetimet për shembjen e strehës së betonit në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Ajo ka ngritur pyetjen se përse, sipas saj, nuk janë marrë në pyetje apo nuk janë shpallur të dyshuar anëtarët e Komisionit të Revizionit, të cilët kishin mbikëqyrur projektin dhe kishin dhënë miratimin pa kërkuar kontrolle shtesë, ndërkohë që ish-presidenti i shtetit është vënë nën dyshim për shkak të informacioneve që kishte lidhur me realizimin e projektit.
Brnabiç e ka krahasuar këtë rast me shembjen e një pjese të çatisë së terminalit të Aeroportit Charles de Gaulle në Francë, në vitin 2004, ku humbën jetën katër persona.
Ajo ka theksuar se presidenti i atëhershëm francez, Jacques Chirac, nuk ishte konsideruar i dyshuari kryesor për atë tragjedi.
Brnabiç ka shtuar se SNS do të luftojë kundër asaj që e ka cilësuar si “terror revolucionar”.

