Benjamin Netanyahu rrezikon të humbasë pushtetin, pasi as blloku i tij dhe as opozita e drejtuar nga Gadi Eisenkot nuk duket se do të sigurojnë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së re në Izrael.
Me rreth 70% të votave të numëruara, gara mbetet e ngushtë, ndërsa rritja e mbështetjes për partitë arabe mund të jetë vendimtare për zgjidhjen e ngërçit politik.
Sipas parashikimeve të publikuara gjatë numërimit të votave, partitë palestineze mund të sigurojnë nga 16 deri në 19 vende në Knesset, parlamentin izraelit. Kjo do t’u jepte atyre një rol të rëndësishëm në negociatat për krijimin e shumicës parlamentare, në një kohë kur asnjëri prej dy blloqeve kryesore nuk duket se mund të arrijë pragun prej 61 deputetësh.
E ardhmja politike e Netanyahut, kryeministrit më jetëgjatë në historinë e Izraelit, varet tashmë nga zhvillimet e negociatave paszgjedhore. Ndërkohë, kreu i opozitës, Gadi Eisenkot, përballet me zgjedhjen nëse do të bashkëpunojë me partitë arabe për të larguar Netanyahun nga pushteti apo do të përballet me mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Eisenkot, gjeneral në pension dhe drejtues i bllokut opozitar, ka folur për krijimin e një “shumice sioniste”, duke lënë të kuptohet se një koalicion me partitë arabe nuk është alternativa e tij e preferuar.
Megjithatë, brenda opozitës ka zëra që kërkojnë negociata me Listën e Përbashkët dhe partinë Ra’am, të cilat mund të luajnë një rol vendimtar në formimin e qeverisë.
Yair Golan, drejtues i partisë së qendrës së majtë Demokratët, i ka kërkuar Eisenkotit të mos përjashtojë bashkëpunimin me partitë arabe. Sipas tij, refuzimi i votave të qytetarëve arabë do të dobësonte opozitën dhe do t’i jepte avantazh Netanyahut.
Edhe drejtues të Listës së Përbashkët kanë deklaruar se rezultati i tyre nuk mund të shpërfillet në asnjë skenar politik. Përfaqësuesi i kësaj force, Yousef Jabareen, është shprehur i gatshëm të kontribuojë në largimin e qeverisë së Netanyahut dhe të ministrave Itamar Ben-Gvir e Bezalel Smotrich.
Presidenti amerikan Donald Trump ka marrë meritat për performancën më të mirë se sa pritej të Netanyahut në zgjedhje, duke pretenduar se mbështetja e tij publike për kryeministrin izraelit ka ndikuar në rezultat.
Trump u shpreh se mbështetja e tij kishte ndihmuar ndjeshëm Netanyahun, ndërsa paralajmëroi se rezultati mund të çonte drejt një ngërçi politik ose një fitoreje të kryeministrit.
Ndërkohë, numërimi i votave vijon, përfshirë fletët e votimit të ushtarëve dhe votat në mungesë, të cilat mund të ndikojnë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve. Edhe pse vota e ushtrisë zakonisht anon nga e djathta, rezultati mund të ndikohet nga pjesëmarrja e rezervistëve me qëndrime më të moderuara.
Zgjedhjet e së martës u karakterizuan nga një pjesëmarrje prej 77.7%, niveli më i lartë që nga viti 1999. Votimi u konsiderua gjerësisht si një referendum mbi drejtimin politik të vendit dhe të ardhmen e Netanyahut, në një klimë të tensionuar pas luftërave të viteve të fundit.
Top Channel

