May 8, 2024
Lajmet e reja

Borrel: Puna është në vazhdim e sipër – Rama përgëzon Kurtin

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi mundësinë e takimeve të reja të udhëheqësve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai tha se zgjidhja e vetme mund të gjendet përmes dialogut mes dy vendeve.

“Puna është në vazhdim e sipër. Ndoshta duhet të largohemi nga samiti i BE-së dhe të ulemi sërish me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe të shohim nëse mund të gjejmë ndonjë zgjidhje përmes dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër. Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon përmes këtij dialogu”, u shpreh Josep Borrell, shef i Politikës së Jashtme të BE-së.

Kurti dhe Vuçiq u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emanuel Makron, kryeministrja italiane, Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së. Meloni tha se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”. Derisa Kurti dhe Vuçiq nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se përgëzon kryeministrin e Kosovës “për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit, si një kuadër për negociatat vijuese”.

“Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi Rama.

Burimet thonë se “gjërat po ecin”, por nuk saktësojnë se për çka bëhet fjalë. Ndonjë takim i përbashkët i Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar, por i njëjti nuk përjashtohet nëse, siç thonë burimet, ka përparim. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin. Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve. Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”.