May 19, 2024

Shkruan: Nehat Jahiu

Qysh nga dita e parë kur erdhi këmbëzbathur në spitalin e UÇK-së që ishte vendosur në fshatin Likovë për të më parë mua, me të kuptuar se isha i plagosur, pasi nëna nuk e dinte a isha i gjallë apo i vdekur, ajo krenohej me bijtë e luftës. Nga ajo ditë teksa më erdhi pranë krevatit ku unë isha i shtrirë, NËNA ime e dashur qëndroi e fortë kur pa edhe shokët e mi që ishin të plagosur. Sa herë vështronte plagët tona ajo betohej mbi gjakun e ushtarëve të lirisë. Gjithnjë shikonte rreth meje shumë të plagosur dhe invalidë, por ajo ndjehej shumë krenare, sepse e dinte mirëfilli se të gjithë këta bij dhe bija që ishin shtrirë në krevatet e spitalit i kishin nënat e tyre trimëresha. Mu për këtë ajo merrte forcë më të madhe dhe bëhej e fuqishme që të mos trishtohej nga plagët e tyre. Kjo ishte nëna ime Sh. J. e cila vinte çdo ditë për të më vizituar, dhe më ndërronte çarçafët e gjakut. Kjo ishte nëna ime që më kishte lindur dhe rritur mua. Rrëfimi i ish-ushtarit të plagosur vazhdon: Sa e sa herë mendoja, se kur shikoja nënën time, kujtoja të gjitha nënat shqiptare ndër shekuj sesa të forta ishin ato shpirtërisht për trimërinë e bijve të tyre. Nuk kishin lotuar edhe atëherë kur luftëtarët për liri kishin rënë dëshmorë në altarin e lirisë. Kështu ishte edhe nëna ime e dashur Sh. J. e cila edhe pse i ndjente dhimbjet e shokëve të mi, i besonte më shumë gjakut të luftëtarëve. Të gjitha nënat shqiptare e kishin zemrën e madhe dhe ndjeheshin krenare.
Në përmbyllje të këtij rrëfimi ish-ushtari i UÇK-së L. Arnori thotë: Të lumtë, nënë që ishe kështjella dhe qëndresa ime në udhën tonë të paqes.