May 9, 2024
Maqedoni

Tito Petkovski përkrah hyrjen e Alternativës në Qeveri: Në koalicion mbetet edhe një deputet i Besës

Kryetari i Partisë së re Socialdemokrate, Tito Petkovski pas mbledhjes së partnerëve të deritanishëm të koalicionit tha se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, shkruan TV21. Petkovski thotë se shumicës parlamentare i shtohen katër deputetë të Alternativës, ndërkaq mbetet një deputet i Lëvizjes Besa.

“Mendoj se është mirë që shumica parlamentare po zgjerohet edhe me 4 deputetë. Besa ka qenë pjesë e koalicionit gjatë zgjedhjeve parlamentare, Besa del nga Qeveria, mbetet një deputet nga Besa, plus kat deputetë nga Alternativa. Mendoj se është një shumicë parlamentare e denjë që do të duhet t’i sigurojë punë të qetë Qeverisë”, tha Petkovski.

Petkovska tha se Alternativa ka shfrytëzuar momentin për të marrë pozita në ekzekutiv, por sipas tij nuk janë shtuar vende të reja pune, por janë ndarë pozita nga resorët aktual brenda ekzekutivit.

“Do të mbetet e hidhët pjesa që shumë kërkon Alternativa për ta mbështetur Qeverinë, por edhe përkundër kërkesës së tyre ambicioze qëndron rreziku për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Unë personalisht mendoj se Maqedonisë nuk i duhet zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha mes tjerash Petkovski.

Petkovski tha se Alternativa ka shfrytëzuar momentin, dhe se po arsyetohet me rrugën euroatlantike të vendit.

“Të jem i qartë nuk kam unë përshtypje që Alternativa po vdes për integrimin tonë në Bashkimin Evropian, përkundrazi e shfrytëzuan momentin kur kemi bisedime me Bullgarinë dhe se momenti u është përshtatur mirë ambicieve të tyre politike, e shfrytëzuan momenitn, dhe për katër deputetë, kërkuan këtë çmim”, tha Petkovski.