May 6, 2024
Rajon - Botë

BIDEN: RUSIA PO KËRKON VETËM NJË JUSTIFIKIM PËR LUFTË

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden shprehet se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën nga momenti në moment duke pritur vetëm një justifikim. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se përplasjet në rajonet separatiste janë inskenime të Moskës.

Edhe Sekretari Amerikan i shtetit Antony Blinken duke folur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara tha se nuk duan të fillojnë një luftë, por ta parandalojnë atë.
Në krahun tjetër Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi pamje të makinerive ushtarake që lëviznin nga zonat kufitare pasi kishin mbaruar stërvitjen, duke pretenduar se kishte nisur rikthimi i tyre në bazat e përhershme. Por perëndimi mbetet skeptik mbi tërheqjen e trupave ruse. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se jo vetëm që nuk ka tërheqje, por në kufi janë shtuar edhe 7 mijë ushtarë të tjerë.

Këtë të enjte Moska u ka dhënë përgjigje me shkrim propozimeve të Uashingtonit dhe NATO-s për zgjidhjen e krizës. Në shkresën prej 10 faqesh që Kremlini i dorëzoi Ambasadorit Amerikan në Moskë thuhej se SHBA ka dështuar të japë një përgjigje konstruktive. Ministria e Jashtme ruse tha se kërkesat e tyre po injorohen dhe ndaj Moska do duhet të përgjigjet me “masa ushtarake dhe teknike”.

Rusia ka dëbuar gjithashtu zëvendës ambasadorin amerikan nga ambasada në Moskë duke mos e justifikuar këtë vendim./ Tv Klan