May 21, 2024
Maqedoni

BDI: Opozita me skenar rus për trazira politike pas 8 majit! VLEN: Osmani u bë nikoqir i Lavrovit

Zgjedhjet po afrohen, por ende pa nisur fushata partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë akuzat e ndërsjella, përcjell TV21. Akuzat vazhdojnë me atë se cila parti është më pro-ruse, ndërsa “luftohet” për të dëshmuar që cila parti është më pro-amerikane e më pro-europiane. Pozita e opozita fajësojnë njëra-tjetrën për organizime të trazirave e parregullsive zgjedhore.

“Të koordinuar bashkë me VMRO-DPMNE-në e Mickoskit dhe LEVICËN e Apasievit, si dhe në mungesë të Programit zgjedhor, koalicioni VLEN ka përforcuar shpifjet ndaj Bujar Osmanit dhe Talat Xhaferit, ndërsa nuk po i kursejnë edhe familjarët e zyrtarëve, gjë që po shqetëson edhe qytetarët, por është njoftuar edhe faktori ndërkombëtar në vend. Ftojmë opozitës si shqiptare ashtu edhe atë maqedonase, të zhvillojnë fushatë në pajtim me vlerat europiane dhe demokratike, pasi çdo gjë kundër, do të thotë largim nga Bashkimi Europian dhe afrim me Moskën e Putinit. Njëherësh, përshëndesim vendimin e OSBE-ODIHR që zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit t’i përcjellin me 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër”, thonë nga BDI.

“Është kryetari i Strugës, kuadër i BDI-së, Ramiz Merko, i cili është futur në listën e zezë amerikane për shkak të korrupsionit dhe abuzimit me drejtësinë. Por, nuk është vetëm ai. Ish kryetarja e Komunës së Tetovës dhe nënkryetarja e deridjeshme e BDI-së, Teuta Arifi, vazhdon të mbahet mend si bashkëpunëtore e biznesmenit me lidhje ruse, Daka Davidoviq, që po ashtu është në listën e zezë amerikane. Madje, sipas informacioneve tona, Teuta Arifi është refuzuar për ambasadore në SHBA dhe në Bruksel pikërisht për shkak të këtyre vjegëzave. Në listën e zezë amerikane vazhdon të jetë edhe Menduh Thaçi, bashkëpunëtori i ngushtë i Ali Ahmetit. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, është pikërisht kandidati për president i BDI-së, ministri i Jashtëm Bujar Osmani, i cili si bedel i Ali Ahmetit ishte njeriu që negocioi me Nikolla Gruevskin në Budapest për kthimin e tij, ndërsa ai vetë u bë edhe nikoqir i ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Llavrov, duke u bërë i pari dhe i vetmi që ia ka hapur dyert Rusisë për të defiluar në Europë pas agresionit të saj në Ukrainë. Proamerikaznimi i rremë i BDI-së e ka emrin “Sergej Llavrov mysafir i Bujar Osmanit””, thuhet mes tjerash në reagimin e VLEN.