May 5, 2024
Maqedoni

Filloi asfaltimi i rrugës Shkup-Bllacë, faza e parë e ndërtimit pritet të përfundojë në mesin e vitit 2022

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve në Maqedoninë e Veriut, Bllagoja Boçvarski sot deklaroi se tashmë ka përfunduar procedura e shpronësimit për fazën e parë në ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë.

“Shpronësimi për fazën e parë të ndërtimit të autostradës nga Shkupi në Bllacë është përfunduar plotësisht dhe sipas dinamikës së punës, kjo pjesë e autostradës pritet të përfundojë deri në mesin e vitit, ndërsa do të shpallet tender për fazën e dytë, tha Blagoj Boçvarski, ministri i Transportit dhe Lidhjeve.

Boçvarski deklaroi se punimet në fazën e parë priten të përfundojnë në mesin e vitit 2022, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Pritjet janë që faza e parë e ndërtimit të përfundojë në mesin e vitit të ardhshëm dhe të shpallet tenderi për ndërtimin e seksionit të dytë, me çka do të vazhdohet kjo vazhdimësi deri në hyrje të Shkupit, me çka do të jemi të kënaqur me dinamikën nëse në mesin e vitit të ardhshëm do të shpallim tenderin, kemi zgjedhur kontraktues gjatë vitit 2022 edhe për pjesën e dytë për ndërtimin e kësaj autostrade”, tha Boçvarski.

Ai thotë se për pjesën e dytë, që shtrihet nga fshati Bllacë deri në Stenkovec, e cila është në gjatësi prej rreth 10,5 kilometra, projekti do të përgatitet deri në fund të këtij muaji dhe do të jepet për rishikim.

Boçvarski theksoi se ky seksion është pjesë e Rrugës 6 të rrjetit gjithëpërfshirës SEETO dhe është shumë e rëndësishme për zgjerimin e rrjeteve rrugore evropiane në Ballkanin Perëndimor.