Arrestohet 34-vjeçari nga Haraçina që kishte ikur nga burgu i Idrizovës, ja për çfarë është i dënuar

Mëngjesin e sotëm, respektivisht rreth orës 08:10 minuta, policia ka arrestuar 34-vjeçarin S.A. nga Haraçina, i cili ishte arratisur nga burgu i Idrizovës, e që është i dënuar me 12 vjet burg për vrasje.

Nga MPB thonë se ai po transportohej nga një tjetër i burgosur, që ishte angazhuar nga burgu për të punuar jashtë institucionit korrektues.

“Në autostradën “Miqësia”, pas informacioneve operative të marra paraprakisht, është ndaluar automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin B.R. (47) nga Haraçina, i cili po ashtu është person i dënuar me burgim në “Idrizovë”, por është punësuar të punojë jashtë burgut. Në automjet ka qenë pasagjerë S.A, i cili është arrestuar dhe do t’i dorëzohet burgut të Idrizovës”, shtojnë nga MPB.