May 2, 2024
Maqedoni

Osmani paralajmëron kalim të qetë të BDI-së në opozitë, ja çka thotë?!

Pas formimit të shumicës së re parlamentare, te një pjesë e vogël e opinionit u paraqit dilema nëse BDI pas shkuarjes në opozitë do të organizojë protesta si në vitin 2006-2008. Këto dilema u hodhën poshtë si të panevojshme, sepse shumica e re gjithashtu ka edhe shumicën shqiptare. Burime partiake në BDI thonë se partia e tyre nëse shkon në opozitë, nuk do të organizojë protesta, por do ti përkushtohet reformave brendapartiake përmes vetingut të pasurisë së funksionarëve të saj. Sipas ketyre burimeve, “shkuarjen e qetë të BDI-së në opozitë”, sot e ka paralajmëruar edhe zëdhënësi i partisë, Bujar Osmani, duke theksuar se kryetari Ahmeti do ta ruajë sigurinë e vendit.

“Tash duhet të përcaktohet kursi i të ardhmes së këtij vendi. Tani është me rëndësi që të mirret një vendim që do ta kthejë stabilitetin në vend. Vendi është para një mundësi serioze për bisedime, BDI është këtu që në këto lojëra politike gjithmonë di të ruajë interesin e shtetit. Qytetarët të jenë të qetë sepse Ali Ahmeti do ta ruaj sigurinë në vend. Ali Ahmeti do të takohet me të gjithë përveç atyre që janë kundër shqiptarëve”, ka thënë Osmani para mediave.

Osmani, ka folur pas mbledhjes me Këshillin e Përgjithshëm të partisë, ku ka thënë se tash duhet të përcakohet kursi i të ardhmes së këtij vendi.

Osmani, ka thënë po ashtu se është shumë me rëndësi të merret një vendim që do ta kthejë stabilitetin në vend, derisa ka theksuar se lideri i tij, Ali Ahmeti, do të takohet me të gjithë përveç atyre që janë kundër shqiptarëve.
Edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, ishte shumë paqësot në një dalje për media, kur komentoi edhe deklaratën e Shkodrane Dardhishta. Thotë se BDI-ja ka kauzë paqen, stabilitetin dhe afrimin e komuniteteve.

“BDI ka kauzë paqen, stabilitetin dhe afrimin e komuniteteve dhe deklaratat e tilla nuk përkojnë me kauzën e Bashkimit Demokratik për Integrim”, the kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Mediumet kanë informuar se arsyeja se përse Ahmeti me ton të prerë dhe të ashpër ka dënuar deklaratën e Shkodranes, është fakti se është telefonuar nga faktori ndërkombëtar dhe i është thënë se nuk duhet të tensionohet situata në vend.