Prof. Dr. Zeqirja REXHEPI

Zgjerimi i konfliktit të armatosur në RMV sinjalizoi shpërthimin e një kryengritjeje me përmasa të gjëra. Me këtë rast u tensionuan edhe marrëdhëniet midis faktorëve politik që merrnin pjesë në qeveri – faktorët politikë u ndanë mbi baza kombëtare, ku qasja e problemit shikohej nga këndvështrime të kundërta.
Sipas këndvështrimit të faktorit politik maqedonas, lufta në RMV është eksportuar nga Kosova dhe ajo njëkohësisht është nxitur nga Bashkësia Ndërkombëtare. Këndvështrimi maqedonas nuk i analizon rrënjët e krizës, një varg shkaqesh që sollën deri te kriza, e as e analizon ngritjen e vetëdijës politike dhe kombëtare të shqiptarëve në RMV.
Duke e fajësuar Kosovën për konfliktin e armatosur në RMV, qarqet nacionaliste maqedonase pak nga pak e rikthyen shtetin në binarë të politikës sërbe, duke e shndërruar atë në avokate të politikës sërbe dhe ruse në Ballkan. Akuza kundër Kosovës, gjoja si agresore, në momentin kur ajo ishte protektorat ndërkombëtar, njëkohësisht do të thotë “atak” kundër OKB-së, BE-së, SHBA-së dhe NATO-s, të cilat ishin të stacionuara në Kosovë dhe siguronin paqen. Qarqet nacionaliste maqedonase, me politikën e tyre të jashtme e shndërruan këtë vend në satelit të politikës pan-sllaviste, antiperëndimore dhe që i shërbente politikës së Millosheviqit. Akuza kundër Kosovës vihej në funksion të politikës së qarqeve pansllaviste, të cilat përpiqeshin të krijonin opinion botëror, se intervenimi i NATO kundër Jugosllavisë ishte projekt i gabuar dhe kundërproduktiv. Pas disfatës në Kosovë kjo ishte përpjekja e fundit e Millosheviqit dhe qarqeve luftënxitëse serbo-maqedonase, për të rivendosur edhe njëherë raportet e mëhershme në hapësirat gjeografike të banuara me shqiptarë. Fajësimi i Kosovës duhej t’i satanizojë shqiptarët si element të vazhdueshëm destabilizues të Ballkanit, për të detyruar Euro-Amerikanët të heqin dorë, përfundimisht, nga shqiptarët. Këto qarqe antiperëndimore dhe anti-NATO, përpiqen në vazhdimësi të ndërtojnë imazhin e fajtorit për shqiptarët. Sipas tyre konflikti i mundshëm me përmasa të gjera do të mund të përgatiste terenin për një akuzë globale kundër shqiptarëve, si fajtorë të atij konflikti, pas të cilit politika pansllaviste në Ballkan, përfundimisht do të kishte fituar “luftën historike”, ndërsa shqiptarët në tërësi, “do të ishin mundur”, e me këtë edhe përpjekjet e Perëndimit ndaj Ballkanit do të kishin marrë fund.
Nga ana tjetër, sipas këndvështrimit të faktorit politik shqiptar, lufta e armatosur në RMV, është rezultat i pabarazisë dhe diskriminimit të shqiptarëve në sistem. Shqiptarët asnjëherë nuk u pajtuan me statusin e pakicës nacionale në këtë shtet të posaformuar. Megjithatë, shqiptarët nuk e destabilizuan RMV-në, duke iu përmbajtur parimeve universale ndërkombëtare, për mos ndryshimin e kufijve. Përpjekjet e përfaqësuesve shqiptarë që përmes luftës politike të fitojnë barazinë kombëtare, nuk dhanë rezultatin e pritur, prandaj diskriminimi dhe pabarazia i shtyjnë shqiptarët të kapnin armët për të realizuar të drejtat e tyre kombëtare.
Pra, sipas faktorit politik shqiptar, shtegun e krizës e hapi koncepti nacionalist maqedonas për RMV-në e pavarur, duke injoruar realitetin faktik të përbërjes etnike të këtij shteti. Ky shtet i pavarur nacional maqedonas përpiqej të shtrihej në një hapësirë gjeografike, ku gjysma e popullatës është josllave, nga e cila shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë etnike.
Politika maqedonase nuk dallonte nga politika e qarqeve serbe të regjimit të Millosheviqit.
Në kohën e regjimit “Titist”, te maqedonasit ishte krijuar bindja se “pakica shqiptare” është njëlloj si pakicat tjera etnike: romët, vllehët, turqit, serbët, etj. Mbi bazë të kësaj bindjeje është hartuar edhe Kushtetuta e 17 nëntorit 1991. Mbi standardet e “pakicës” u ndërtuan parimet për të drejtat e njeriut. Qasja e këtillë e çështjes shqiptare në RMV, vazhdoi edhe pas çlirimit të Kosovës. Edhe më tutje, vazhduan përpjekjet e establishmentit politik maqedonas për të ruajtur status-quo-në e pozicioneve juridike-kushtetuese. Ofertat e faktorit politik shqiptar për reforma kushtetuese ose u refuzuan ose u injoruan, gjë që solli thellimin e mëtejmë të krizës ndëretnike në RMV. Mirëpo, rrethanat politiko-shoqërore, pas përfundimit të Luftës së Kosovës, ndryshuan në favor të kauzës shqiptare.
Përpjekjet e faktorit politik shqiptar që përmes procesit politik, në institucione të sistemit, të evitojë krizën, megjithatë nuk dhanë rezultatet e pritura. Me të filluar konflikti i armatosur në RMV, u ringjallën orekset e qarqeve nacional-shoveniste serbo-maqedonase për ta zgjidhur krizën me luftë të armatosur.
Sapo filloi konflikti në RMV, diplomacia ruse u aktivizua, duke e fajësuar SHBA-në dhe vendet tjera perëndimore si nxitëse të konfliktit në Ballkan. Me këtë rast, ministri rus i mbrojtjes, Igor Sergejev, u kërcënua se do ta ndihmojë RMV-në me mjete ushtarake. Ai me këtë rast tha: “Rusia është gati t’u japë ndihmë konkrete forcave ushtarake maqedonase për t’i dhënë fund konfliktit me ekstremistët shqiptarë. Ai gjithashtu tha, se Moska nuk mund të rijë më indiferente me atë që po ndodh në Ballkan, veçanërisht në Kosovë dhe në Maqedoni. I japim mbështetje politike Maqedonisë, por është e nevojshme dhe një ndihmë për forcat e armatosura të kësaj republike”. Sipas ministrit rus, “për krizën në Maqedoni ka përgjegjësi NATO si dhe ka një projekt të Uashingtonit që kërkon të zgjerojë influenën e tij në Evropë dhe në Ballkan, duke u dhënë mbështetje ekstremistëve shqiptarë” .
Mirëpo, edhe shqiptarët në këto rrethana kishin miqtë e tyre, të cilët sinjalizonin për rreziqet e mundshme. Njëri nga analistët e rrjedhave zhvillimore të Ballkanit, J. Bugajski, në këtë kohë shkruante:
“Lobi antishqiptar, serbo-rus, pohon se shqiptarët nuk janë në gjendje në mënyrë demokratike të qeverisin, se janë primitivë, patriarkalë, kriminelë, fundamentalistë dhe të orientuar si antiperëndimor. Qëllimi i kësaj propagande është, që përmes shërbimeve të fshehta, të gjithë shqiptarët t’i paraqesin si terroristë, kriminelë, trafikantë droge dhe fundamentalistë islamikë. Në këtë mënyrë, veprimet e tyre t’i barazojnë me ato të Talebanëve, si një kërcënim për gjithë Evropën… Kështu, përkundër sukseseve të NATO që të ndalojë gjenocidin në Kosovë, Rusia, pandërprerë akuzon KFOR, se misioni i tij nuk është i suksesshëm, ngaqë toleron frymën luftarake të shqiptarëve dhe promovon destabilizimin rajonal. Ajo, me këtë rast, fton NATO-n që ose të shkatërrojë guerilën shqiptare, ose duhet të lëshojë Ballkanin. Me këtë rast, do t’u hapej rrugë forcave të sigurimit serb, që njëherë e përgjithmonë të heqin qafe “çështjen shqiptare “, pa asnjë ndjejnë humanitare, ngjashëm siç vepron Rusia në Çeçeni. Bugajski përmend vizitën e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Igor Ivanov, i cili ka konkluduar se “reagimi pasiv” i NATO-s në shtrirjen e konfliktit kosovar në Maqedoni, paraqet rrezik për paqen në gjithë rajonin dhe nxit konfliktet etniko-territoriale. Ivanovi, ka theksuar gjithashtu se intervenimi i NATO (fjala është për intervenimin kundër ish Jugosllavisë), nuk arriti që me sukses të zgjidhë problemet rajonale…” .
(vijon)

sqShqip