Maqedoni

Apeli i ‘frikshëm’ i MPB-së, për qytetarët në natën e ndërrimit të moteve

Gazetar: Mefail Ismaili

“Thuajse të gjithë qytetarët tashmë kanë bërë planet se ku do të presin dhe ku do të festojnë festën e Vitit të Ri. Megjithatë Ministria e Punëve të Brendshme këtë vit vjen me një apel të veçantë! Mos postoni fotografi nga vendet ku do të festoni. Kjo për faktin se këtë mund ta shfrytëzojnë vjedhësit si konfirmim që nuk jeni në shtëpi”, raporton gazetari i Alsat, Mefail Ismaili.

Nga MPB shtojnë se këtë apel e kanë bërë për shkak se edhe qytetarët kanë përgjegjësi për tu kujdesur për pronën e tyre. Zëdhënësi i policisë Toni Angellovski, thotë se me publikimin e fotografisë u ndihmohet hajnave.

“Posaçërisht tani para festave të vitit të ri edhe festave të krishtlindjeve i lëshojnë një pjesë shtëpitë, shkojnë nëpër festa nëpër restorante, hotele, do të thotë është më thjeshtë është të mos publikohen fotografi në rrjetet sociale, për shkak se në atë mënyrë e njoftoni kryerësin potencial të veprës penale vjedhje se shtëpinë e keni të zbrazët”, thotë Toni Angellovski nga MPB.

Qytetarët me qëndrime të ndryshme për apelin e këtillë të MPB-së. Disa e vlerësojnë si pozitiv, e disa të tjerë si dëshmi për rrezikun e madh nga krimi.

“Nuk e kuptoj apelin si diçka të keqe, por me këtë kuptojmë se ka shumë krim, do të thotë ne duhet të jemi në shtëpi, të mos guxojmë të dalim. Nuk jemi të sigurt”, thotë një qytetar.

“Po, po, lexova në Facebook. Por mirë është, më mirë që të ketë më shumë privatësi”, u shpreh një tjetër./ Alsat.mk