Analizë: Merko në “Listën e Zezë”, Sela në Uashington! Rastësi apo porosi?
Shkup/Uashington, 30 qershor- “Merko në listën e zezë, Eskobar takon Selën në Uashington”. Ky është titulli me të cilin shumë media të njohura në Maqedoninë e Veriut kanë publikuar informacionin për qëndrimin e Ziadin Selës në Uashington dhe takimet që ka realizuar në Departamentin e Shtetit.
Paralelja është e qartë- Sela dhe Merko ishin kundërshtarë në zgjedhje, kurse Merko fitoi në menyrën që shumë politikanë dhe analistë atëherë e quajtën me formulimin “akrobacione të çuditshme”.
Vizita e Selës në Departamentin Amerikan të Shtetit u realizua kur nuk kishin kaluar as një javë nga publikimi i emrit të Merkos si “nongrata” Për këtë arsye, shumë analistë në Maqedoninee Veriut dhe në SHBA konsiderojnë se përputja e këtyre dy zhvillimeve nuk është rastësi, por është porosi e qartë, domethënien e së cilës e sqarojnë me fjalinë “asgjë nuk mbetet për botën tjetër”.
Ata shtojnë se derisa Ramiz Merkon, SHBA e ka shpallur person Non Grata, oponentin e tij të dikurshëm dhe kryearin aktual të Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, e ka pritur në Uashington i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Eskobar. Lajmin e ka publikuar vetë Sela në faqen e tij zyrtare, i cili këto ditë qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Top24.
Vizitën në DASH Sela e realizoi në organizimin dhe shoqërimin e Kryetarit të Këshillit Shqiptaro Amerikan, Haxhi Dauti, që tregon edhe respektin e madh që e gëzon ai tek diaspora shqiptare.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleatët dhe mbështetësit kryesorë të lirisë dhe proceseve demokratike, veçanërisht në vendet tona.
Në organizimin dhe shoqërimin e Kryetarit të Këshillit Shqiptaro Amerikan, Haxhi Dauti, sot kisha nderin të takoj të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ndamë shqetësimet e përbashkëta, por edhe vendosmërinë tonë për t’i tejkaluar me sukses të gjitha sfidat në vend dhe rajon, ndërsa diskutuam edhe për ndryshimet kushtetuese, si parakusht për procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Paqja në Ballkan, integrimi i rajonit në strukturat euro-atlantike dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk kanë alternativë dhe do të kenë gjithmonë mbështetjen nga SHBA-të.
Gjatë kësaj vizite takova edhe Benson Siwek (Macedonian desk officer), i cili poashtu u interesua për zhvillimet në vend dhe perspektivën e rajonit”, njoftoi Sela.