April 28, 2024
Maqedoni

Alternativa dridh shtetin dhe pushtetin për Almirin

Lindrit Memeti

Dje lexuat një lajm se Bojan Maricic në listën për falje te presidenti Stevo Pendarovski ka dërguar edhe emrin e vrasësit të Almir Aliut. U tronditët? Ju mbeti mishi në fyt te restorant Bujana në Gjilan? Po lajmin tjetër e lexuat se Alternativa e dridhi shtetin, pushtetin dhe qeverinë, ia dridhi dorën Bojan Maricicit dhe ajo listë nuk shkoi te presidenti. Kjo është Alternativa. E thjeshtë, e pazëshme, e heshtur, por në anën e shqiptarëve.

Alternativës nuk i interesojnë interesat e klaneve të caktuara. E as që është parti e kapur peng nga pozita dhe opozita. Alternativa është opsioni i vetëm i shpresës te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Për këtë periudhë të shkurtër kohore, Alternativa dy herë e dëshmoi se është e shqiptarëve dhe punon vetëm për interesat e shqiptarëve. Hera e parë ishte ngritja e temës së një gjykimi ndërkombëtar për Grupin e Kumanovës, ku me këtë rast u senzibilizuan të gjitha instancat kombëtare dhe ndërkombëtare dhe rasti i dytë është me listën për falje.

Alternativa njeh brengat e shqiptarëve. Ajo është paraqitur si kujdestare e tyre. Paramendoni sikur të mos ishte Alternativa në qeveri dhe Bojan Maricic të kish ndërmarr një hap të këtillë, a kishte forcë që kishte mundësi me ndalë? Por, dilni në anën tjetër të medaljes. Alternativa vecse ka filluar procesin e mbrojtjes së shqiptarëve dhe zgjidhjes së problemeve të tyre. A thua cfarë do të ndodhte sikur Alternativa të kishte pushtetin e partive tjera, sa halle dhe probleme të shqiptarëve do të zgjidheshin?

Në këtë kohë kur janë përzier vlerat me anti-vlerat është bërë e vështirë të dallohen opsionet e vërteta. Por opsioni i Alternativës shikohet pastër si loti në të gjitha këndvështrimet e një banori të Maqedonisë së Veriut. Këtë opsion nuk e shohin vetëm ata që iu janë errësuar sytë dhe iu janë mbuluar zemrat me mllef dhe inati.