Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në takimin që pati sot me kongresistin republikan Keith Self dhe kongresistin demokrat Suhas Subramanyam, pjesë e delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha se anëtarësimi në NATO për Kosovën është çështje e sigurisë afatgjatë, paqes rajonale e “vendit të natyrshëm të Kosovës mes shteteve demokratike”.
Presidenca tha se Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe të Kongresit Amerikan ndaj Republikës së Kosovës, duke theksuar se për popullin e Kosovës “kjo mbështetje ka pasur rëndësi historike, politike dhe njerëzore”.
“Për Kosovën, miqësia me Shtetet e Bashkuara është edhe institucionale por edhe personale. Populli ynë e mban mend kush qëndroi pranë nesh në momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne”, tha Haxhiu.
Ajo falënderoi kongresmenin Self për mbështetjen e tij të qartë ndaj rrugës së Kosovës drejt NATO-s, si dhe për vëmendjen ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Haxhiu vlerësoi gjithashtu praninë e kongresistit Subramanyam në këtë delegacion, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fusha si teknologjia, siguria kibernetike, arsimi, inovacioni dhe shërbimi publik.
Në takim, Haxhiu tha se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara në siguri, mbrojtje, ekonomi, diplomaci dhe integrim euroatlantik.
Ajo theksoi se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen amerikane dhe dëshiron ta nderojë këtë miqësi duke qëndruar përkrah Shteteve të Bashkuara si partnere e besueshme për paqe, siguri dhe përparim demokratik.

