Dy institucionet kyçe që kujdesen për zbatimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut mbështesin zgjidhjen ligjore të Ministrisë së Drejtësisë për provimin e jurisprudencës i cili parashikon që teoria të jepet në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht. Krerët e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve dhe Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani dhe Arsim Idrizi theksojnë se ndryshimet ligjore janë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin e Gjuhëve.
“Fillimisht e përshëndesim nismën e ministrit të Drejtësisë për propozim-ligjin për provimin e jurisprudencës, faktikisht pas sa dekadave do të jepet në gjuhën shqipe. Normalisht ne si Agjenci jemi kompetent për mbikëqyrjen dhe veprojmë në suaza të kompetencave tona, derisa ligji është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e saj ekzistuese, ne nuk kemi ndonjë vërejtje” deklaroi Granit Osmani, Drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës që e Flasin së Paku 20% e Qytetarëve të RMV-së
“Si e vlerësoni këtë ligj, çfarë do t’i thoni Komisionit të Venecias?“Ne jemi që të jetë në harmonizim me Kushtetutën edhe Ligjin, edhe…. A është në harmonizim? Mendoj se është” deklaroi Arsim Idrizi, Drejtor i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve
Lidhur me vërejtjen e shqiptuar nga Inspektorati i Gjuhëve ndaj ish ministrit Fillkov pasi me moslejimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në shqip, e ka shkelur Ligjin e Gjuhëve, Idrizi thotë se me ligjin e ri këto shkelje do të tejkalohen.
“Unë mendoj se po, përderisa jo… nga Pavarësia e Maqedonisë, jo nga viti 2001, deri sot që po flasim asnjëherë nuk është dhënë provimi në gjuhën shqipe. Qeveria dhe ministri i Drejtësisë po mundohet dhe kanë arritur deri te një propozim-ligji për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe” deklaroi Arsim Idrizi, Drejtor i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve
Qëndrimi i dy krerëve të institucioneve është në harmoni me qëndrimin e partisë së tyre. Megjithatë, gjatë periudhës së kaluar, çështja ka nxehur retorikën mes dy blloqeve shqiptare. Derisa për VLEN-in është zgjidhje historike, opozita ka vlerësim krejtësisht të kundërt, për çka ka paralajmëruar edhe bllokadë institucionale në Kuvend. Sipas tyre, nuk ka nevojë fare për ndryshime ligjore, meqë kjo parashihet me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Në një letër të hapur për ministrin e Drejtësisë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti theksoi se zgjidhja është degradim dhe tradhti ndaj shqiptarëve dhe gjuhës shqipe./Alsat.mk

