Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot mori pjesë në debatin publik të organizuar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve, kushtuar Kodit të ri Penal, duke shënuar një moment të veçantë në historinë institucionale të vendit.
Për herë të parë në historinë 60-vjeçare të Akademisë, nga tribuna e saj u mbajt një fjalim në gjuhën shqipe nga Ministri i Drejtësisë.
Ky nuk ishte thjesht një moment protokollar dhe as një gjest simbolik. Ishte një moment me peshë institucionale, që dëshmon se realiteti shumëgjuhësor i shtetit duhet të reflektohet edhe në institucionet më të larta shkencore dhe akademike.
Shqipja nuk është mysafire në institucionet e këtij shteti. Ajo nuk ka nevojë për ftesë për të qenë e pranishme aty ku i takon. Ajo është pjesë e realitetit kushtetues, shoqëror dhe institucional të vendit.
Përveç këtij momenti historik, ministri Shasivari në debat trajtoi edhe rëndësinë e Kodit të ri Penal si një nga reformat thelbësore për modernizimin e sistemit të drejtësisë, forcimin e sigurisë juridike dhe harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane.
Ky është kuptimi i barazisë në praktikë: jo vetëm të drejtat të garantohen në letër, por ato të marrin jetë në çdo institucion, në çdo nivel dhe në çdo tribunë ku ndërtohet e ardhmja e shtetit.
Për 60 vjet, kjo tribunë nuk e kishte dëgjuar fjalën shqipe në këtë nivel institucional. Sot, ajo u dëgjua. Dhe ky është një kapitull i ri në historinë e saj.
Video në Link: https://www.facebook.com/share/v/19p9a9vjzg/

