May 25, 2024
Maqedoni

Adem Rexhepi, 30 vite instruktor në autoshkollën “Jugo-Fer” (FOTO)

Ai tregon se e kishte ëndërr komunikacionin dhe këtë qëllim e kishte arritur fal dashurisë ndaj profesionit, me punë të palodhshme dhe profesionale në përgatitjen e kandidatëve për vozitje.

Rexhepi falënderon pronarët e autoshkollës “Jugo-Fer”, zotërinjtë Feriz dhe Ridvan Dervishi për besimin dhe mirëkuptimin e deritanishëm. Ai thotë se këtë profesion, të cilin e ka bë me pasion ia ka përcjellur edhe djalit të tij Ibrahim Rexhepit.

“Si i ri në shkollë të mesme e kisha ëndërr komunikacionin. Pata shkuar në Manastir që të regjistrohem në shkollën e lartë të komunikacionit, mirëpo aso kohe ishte i vështir pranimi shqiptarëve, posaçërishtë në këtë drejtim e në këtë qytet. Në vitin 1991 u hap shkalla e pestë e përgatitjes profesionale për instruktor në Shkup. Dhe, unë me të dëgjuar lajmin u registrova dhe ndjeka ligjeratat në ASUC Shkup (Qendra për automjete dhe komunikacion). Isha një ndër më të dalluarit dhe në afat rekord e përfundova. Në vitin 1991 u hap autoshkolla e parë private në Maqedoni ‘Jugo-Fer’nga z.Feriz Dervishi, dhe menjëher në vitin 1992 fillova punën si instruktor. Gjatë vitit 1993 kam qenë përfaqësues i autoshkollës ‘Jugo Fer’ në komisionin e MPB”, rrëfen instruktori Adem Rexhepi dhe shton:

“Në atë kohë pata përkthyer edhe librin e autorit Gico Vasilevski në shqip, ku dhe mbaja ligjerate për komunikacion në RTV Zëri i Kumanovës. Gjatë viteve 2005-2008 prapë kam qenë anëtar i komisionit privat në autoshkollën ‘Jugo-Fer’ për pjesën praktike. Në vitin 2008 u hap qendra për provime ‘Top Drajver’ ku isha anëtar i komisionit, pas një viti vijova punën si instruktor i gjitha kategorive deri në vitin 2020. Tani jam prap anëtar i komisionit për pjesën praktike pranë kësaj qendre”, thekson ai.

Adem Rexhepi thotë nëse dëshiron t’ia arrish qëllimit që ia parashtron vetës, atëherë duhet ta duash profesionin.

“Për ta bërë një punë profesionale duhet ta duash profesionin dhe ta punosh me nder. Jam munduar dhe e kam arrit qëllimin. Ia përcjella edhe djalit tim Ibrahim Rexhepit të njëjtin profesion dhe jam i kënaqur me rezultatet e tij në përgatitjen e kandidatëve për shofer. Arrita tre gjenerata t’i kem pas kandidat: Gjyshin, prindin dhe tash nipin”, tregon instruktori i njohur dhe me përvojë Adem Rexhepi.

Ai falënderon pronarët e Autoshkollës z. Feriz dhe djalin e tij Ridvan Dervishi.

“Një falënderim të veçant për z.Feriz Dervishi dhe djalin e tij Ridvan Dervishi që me përkushtim të madh ditën dhe dinë ta drejtojnë Auto-shkollën dhe Qendrën për provime me angazhime dhe ekip profesionale. Falënderojë edhe të gjithë kolegët e dikurshëm dhe me ata që punojë sot për bashkëpunimin e sinqertë që kemi”, thotë ai.

Rexhepi ka një apel për të gjithë prindërit, fëmijët e të cilëve dëshirojnë të pajisen me patent shoferi.

“Edhe një duhet ta ceki se puna në komison është jofalënderuse, pasi që çdo prind dëshiron t’i kalon fëmija i tij nga hera e parë provimin për shofer, pavarësisht përgatitjes. Kam nje apel, pasi që Kumanova është një vend lokalist dhe njihemi të gjithë mes vete. Prioritet çdo prind duhet ta ketë përgatitjen se sa provimin. Me rëndësi ai fëmijë të jetë një shofer i mirë që zotëron shkathtësinë e vozitjes dhe t’i njohë regullat e komunikacionit që për jetë e mot ta gëzon lejen për vozitje”, përfundoi intervistën e tij për Open-TV, Adem Rexhepi. (Open-TV)