July 23, 2024
BallinaMaqedoni

Vdekja e ushtarit 25-vjeçar – Shtabi i Përgjithshëm: Armata nuk ka helikopter i cili i plotëson kushtet për transport special mjekësor

Një ushtar profesionist 25 vjeçar ka ndërruar jetë mbrëmë pas përkeqësimit të gjendjes gjatë kursit 24 ditorë në Batalionin për Forca Speciale “Ujqit”.

Shtabi i Përgjithshëm ka njoftuar se gjendja e tij është përkeqësuar rreth orës 18:30 minuta, ndërsa me ndihmën e parë ushtarake është dërguar në Negotinë dhe më pas në Kavadar.

Nga aty është nisur për Shkup, por me të arritur në hyrje të Klinikës Intensive është konstatuar vdekja e tij.

Por pse në gjendje të tillë nuk ka pasur në ndihmë një helikopter për ta dërguar në spital.

Shtabi Përgjithshëm thotë se nuk kanë helikopter që i plotëson kushtet.

“Armata nuk ka helikopter i cili i plotëson kushtet për transport special mjekësor. Sipas kohës se vlerësuar për intervenim dhe aparaturës për ndihmë mjekësore në raste të tilla të transporteve mjekësorë është vepruar në mënyrën më të mirë të mundshme”, thonë nga Shtabi i Përgjithshëm.

Prokuroria Publike ka nisur procedurën e obduksionit nga ku duhet të mësohen shkaqet e vdekjes. Sipas Shtabit të Përgjithshëm, gjendja shëndetësore e ushtarit kur ka nisur kursin e përzgjedhjes për njësinë elitare ka qenë e shkëlqyeshme gjatë gjithë periudhës paraprake. Së fundmi ai ka qenë në marsh prej 100 kilometrave, në kushte të rënda malore dhe atmosferike. / Alsat.mk