April 27, 2024
Kolumna

A vlen krenaria e një kryeministri më shumë se plaga e tërë kombit?

Shkruan: Zejnepe Alili Rexhepi
Për çudi, as këtë verë nuk arrijmë ta kalojmë të qetë! Herë me fajin, e më shumë pa fajin tonë, po na përsëritet historia. Lojërat e politikës nuk zgjedhin mjet për të provokuar, shpesh me idenë për ta pasur gjithmonë vëmendjen e popullit, herë – herë edhe sa për treguar dhëmbët e më të fortit.
Koha është dëshmitare se kur politika shkon drejt dështimit, gjithmonë e fut në lojë artin dhe kulturën. Fatkeqësisht, shpesh politika këtë e ka pasur mbulesë, për ta shpërqendruar vëmendjen e opinionit nga realiteti.
Në linjën politikë – kulturë përherë e gjejmë tandemin e përbetuar për ta ndihmuar e ngritur njëra – tjetrën. Njohim me dhjetëra raste të tilla, ndërkaq rasti aktual që i trazoi shqiptarët është – ftesa për serbin Bregoviç.
Pas paradës groteske Vuçiq – Rama – Zaev (një treshe e bashkuar jonatyrshëm) që revoltoi mijëra shqiptarë, akoma pa u qetësuar gjakrat, vjen skanadali tjetër me Festën e Korçës. Po, pikërisht Korçën, qytetin e Shkollës së Parë Shqipe, një vend i shenjtë për shqiptarët, për të cilin e kisha bindjen se korçarët përmes bashkëjetesës fetare (ortodokse, e krishterë dhe myslimane), e kishin arritur vëllazërinë më sublime kombëtare. Andaj, me të drejtë shumica e kërkojnë arsyen e dilemës: përse sot, pa asnjë arsye madhore trazohen e fyhen shqiptarët, pikërisht në atë qytet që paraqet Tempullin e Dijes?
A ia vlen që për një këngëtar, madje, që midis të qenit kroat a serb, nga prejardhja e prindërve, zgjodhi për të ruajtur gjenin serb, meqenëse aty e gjeti krenarinë e tij, kur politika serbe në krye me Millosheviq-in e filloi luftën çnjerëzore në Ballkan.
E pra, kur arti përzihet me politikën, çka mund të thuhet më shumë?!
Arti, në të vërtetë, duhet vlerësuar si i tillë (art) dhe të mbetet brenda kësaj kornize, por kur arti bëhet vegël e politikës, duhet shikuar e analizuar si me llupë, përpara se individë të tillë t’i lartësojmë aq sa nuk e meritojnë.
Goran Bregoviq-it i deshi qejfi dhe e këndoi “Kalashnikov”, por ç’u do qejfi shqiptarëve që janë kaq nostalgjikë për muzikën e tij?!
E dimë se hebrejtë, kur u ndjenë të fyer e të lënduar nga kënga “Lili Marlene”(Dietrich Marlene, këngëtarja që e frymëzoi ushtrinë naziste, gjatë Luftës së Dytë Botërore), nuk shfaqën admirim për të. Hebrejtë, edhe pse janë një popull me kulturë shumë të lashtë, por me një fat shumë tragjik, nuk shprehin kurrfarë nostalgjie për ta dëgjuar këngën, mbase edhe nga njëfarë kodi etik ia kanë ndaluar vetes dëgjimin e asaj kënge (që ndonëse me tekst dashurie midis një ushtari dhe të dashurës së tij) ata me të drejtë nuk e himnizuan këngën që në kampin fashist ishte kthyer në himn marshues gjatë LDB, sepse në raste të tilla, edhe kënga më e bukur tejkalon çdo shije njerëzore.
Atëherë, pse i njëjti akt për shqiptarët të jetë një mision i pamundur?!
Për të gjithë skeptikët dhe mbrojtësit trushplarë, ta rikujtojmë se kënga e Bregoviç-it, është realizuar në vitin 1997, dhe është shkruar enkas për ta frymëzuar ushtrinë serbe, me “Jurish” ndaj gjenocidit mbi Kosovën, ku ushtarët serbë do të ndiheshin si në dasëm, do t’i përdhunonin vajzat shqiptare, si në ndonjë festë joshëse cigane (rome), ashtu, siç edhe ndodhi në realitet, ku u përdhunuan mbi 20.000 vajza e nëna shqiptare.
Pavarësisht plagës së shqiptarëve të Kosovës dhe më gjerë, Kryeministri Rama (dikur Kryebashkiak i Tiranës), në vitin 2014, pikërisht këtë Goranin e shpërblen, duke e shpalluar Qytetar Nderi të Tiranës dhe ia dhuron “Çelësin e Tiranës”, ndonëse preteksti i vërtetë nuk dihet, sepse “këngëtari” nuk ka ndonjë potencial gjenial apo famë botërore, për ta vlerësuar aq lart. Sidoqoftë, kryeministri Rama mund të mos ketë pasur faj, sepse mund të mos e ketë ditur, mbase këtë emër ia kanë sugjeruar këshilltarët e tij kulturorë (të yshtur nga nëntoka për të ndezur fitilin e përçarjes vëllazërore). Mirëpo sot, që e di, e ka të njohur CV-në e Goranit, sepse këtë përpiqen t’ia thonë mijëra shqiptarë të fyer, duhet ta parandalojë përçarjen, e cila fillimisht ishte në formë debatesh e komentesh në rrjetet sociale, por mund të eskalojë në veprime konkrete të dhunshme (paralajmërimet për protestën në Korçë). Duhet vepruar me maturi, sipas modelit hebrej, pra ta injorojë çdo imponim serb (qoftë edhe përmes muzikës apo artit në përgjithësi, sepse plaga e shqiptarëve të Kosovës është ende e hapur), e me këtë veprim sigurisht nuk i zbehet krenaria një Kryeministri, nëse më shumë se të huajt e vlerëson kombin e vet!

Kryeministër Rama!
Shqiptarëve të Kosovës, duhet t’u kërkohet falje, për provokimet e vazhdueshme që u bëhen;
Çdo Kompanie t’i vihet kusht për respektim dhe vlerësim të artistëve shqiptarë, e jo t’u jepet përparësi të huajve, që pasi e shkelin tokën tonë flasin me përçmim e fyerje;
Korça, si Tempulli i Dijes, është destinacioni më i dashur për qindra e mijëra shqiptarë që e vizitojnë, duke nisur nga 7 Marsi, andaj mos lejoni që të përdhoset kjo vëllazëri e natyrshme, pa i dhënë kënaqësinë Bregoviç-it të çirret me britmat: Juriiiiish!;
Të tërhiqet publikisht Çmimi i dhënë “Çelësi i Tiranës”, në 2014, sepse nuk llogaritet gabim kur e bën nga mosdija, por kur gabimin e tejkalon me arsyetime se arti nuk njeh politikë, atëherë pse nga spektri i politikës e vlerësoni artin? (Sikur një herë të vetme, në mandatet Tuaja qeverisëse, të ishit kujtuar që t’i ndanit një Mirënjohje ish-presidentit amerikan Bill Klinton, sepse Ai dhe SHBA-të na shpëtuan nga ferri serb. Pra, kur përzihet politika dhe kultura, çështjet bëhen shumë të ngatërruara!

Kryeministër Rama,
Shqiptarët duhet të kursehen, që të mos vuajnë më nga sindromi i robit (sepse në vazhdimësi u imponohet ndjenja e inferioritetit);
duhet të kursehen që të mos krijohen përçarje vëllazërore, sa herë që disa shqiptarë nuk e kuptojnë thelbin e reagimit të vëllezërve të tyre nga Kosova e gjetiu, por na hiqen të kulturuar dhe me kënaqësi e bëjnë avokatin e djallit;
duhet të kursehen shqiptarët që ia duan të mirën kombit, që të mos fyhen nga vëllezërit e tyre me shprehjet: “paranojakë”, “mendjembyllur”, “antivlera që nuk e njohin artin”, “fundrina” e deri në thirrje për shfarosje…;
shqiptarët nuk duhet lejuar që të vuajnë për faktin se kemi mbetur peng të “jaranive” e “sivëllazërive” jugosllave.
Asnjë shqiptar nuk duhet të guxojë ta fyejë shqiptarin për një të huaj, aq më tepër armik të përbetuar të shqiptarëve.
Kryeministër Rama, nuk duhet ta lejoni përçarjen vëllazërore!
Parandaloni protestat, sepse të punohet për kombin është krenari dhe jo përulje!

P.S. Sado qesharake e të kota t’ju duken reagimet e shqiptarëve, duhet marrë me seriozitet, sepse e kemi shumë të njohur shprehjen: “Shqiptari e djeg jorganin për një plesht”!

E Shqipëria është bebëza e syrit për të gjithë shqiptarët!
Shqiptarët kanë nevojë për optimizëm, unitet dhe vlerësim, meqë kështu ndalohet përçarja. Sa për sllavët, mos e vrasim mendjen se janë plot dhe të vetëmjaftueshëm.
Parakalimet me liderët sllavë, të cilët publikisht i fyejnë shqiptarët, e injorojnë dhe mohojnë Kosovën, madje na kërcënojnë me luftë të re ndaj Kosovës, nuk i bëjnë nder Shqipërisë, përkundrazi e dobësojnë atë!
Nuk mban farsa se: “ne e udhëheqim Shqipërinë dhe vendosim për të, ashtu sikurse Kosovën e udhëheq dikush tjetër dhe vendos për të”.
Është më mirë kur për të gjitha çështjet e rëndësishme kombëtare, liderët shqiptarë do të vendosin bashkërisht.
Nuk i shkon askujt në favor kjo përçarje, sepse ne shqiptarët e të gjitha trevave autoktone, të ndara dhunshëm, gjithmonë e konsideruam dhe e konsiderojmë Shqipërinë si Atdheun e përbashkët, atë Tokëparajsën e mohuar prej shekujsh.
Shqipëria, për të gjithë shqiptarët, paraqet bastionin e Krenarisë dhe Shpresës, andaj duhet vepruar me maturi, pa na e mohuar këtë të drejtë!