Vitin e kaluar, gjatë periudhës festive, tregtarët kishin rritur çmimet e produkteve të konsumit. A do të ndodh e njëjta edhe në muajin Ramaznit dhe festën e Bajramit? Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, thotë se situata këtë vit është ndryshe.

“Duke pasur parasysh këtë fakt, me vendim qeveritar dhe propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, bllokuam çmimet për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për t’i mbrojtur. Por këtë vit, muajin e kaluar inflacioni ishte -0.7%, që tregon se po shkojmë drejt stabilizimit të çmimeve dhe nuk mund të ndërhyjmë gjithmonë me masa administrative në treg, pasi jemi një shtet demokratik”, tha Besar Durmishi.

Ministri Durmishi, komentoi efektet e ligjit të ri për praktikat jo të ndershme tregtare, një vit e gjysmë pas hyrjes në fuqi të tij. Ai theksoi se ligji, i cili hyri në fuqi në mars 2024 dhe kishte një periudhë gjashtëmujore për harmonizim, nuk ndikon drejtpërdrejt në çmimet e shitjes me pakicë, por vendos kufizim të qartë të zbritjes deri në 10% midis tregtarëve dhe blerësve nga prodhuesit dhe furnizuesit.
Pyetjes nëse gjobat prej 50,000 eurosh janë të mjaftueshme, Durmishi përgjigj se për kompanitë nuk janë të mjaftueshme.

“Sipas mendimit tim, për kompanitë këto nuk janë të mjaftueshme. Duhet të bëjmë ndryshime në ligj në periudhën e ardhshme për të rritur gjobat, në mënyrë që askush më të mos negociojë në këtë mënyrë dhe të përfitojë në dëm të qytetarëve”, deklaroi Durmishi.

Sa i përket pagës minimale, Durmishi, theksoi se rritja e pagave duhet të bazohet në ekonominë reale dhe produktivitet më të lartë, duke garantuar një përmirësim të qëndrueshëm të standardit jetësor. Durmishi për REL tha se vetëm 30.000 qytetarë marrin pagë minimale, ndërsa shumica e të punësuarve marrin më shumë, andaj shtoi se insistimi i sindikatës më shumë është temë politike.

sqShqip