Kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të sapobetuar të Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili një ditë më parë përdori një krahasim ofensiv ndaj ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi.

Në një reagim publik, Kusari-Lila kritikoi gjuhën e përdorur nga Lushtaku, duke theksuar se ai njëkohësisht ofendon Matoshin dhe kërkon “kujdes” në diskursin publik. Sipas saj, Lushtaku po tenton të relativizojë akuzat që Matoshi ka bërë për shitblerjen e tokës publike në Skenderaj, përfitime të cilat — thotë Kusari-Lila — ai vetë i ka pranuar më herët.

“Në një deklaratë të vetme, kryetari i sapobetuar i Skenderajt e quan Adriana Matoshin me një term degradues, e pastaj kërkon kujdes në atë që flasim, sepse sipas tij faktet që ajo ka përmendur paskëshin qenë ‘jo mjaftueshëm të mbështetura’”, u shpreh ajo, duke shtuar se mënyra e komunikimit të Lushtakut është denigruese ndaj grave, përcjell Telegrafi.

Kusari-Lila tha se sipas logjikës së Lushtakut, “gratë etiketohen nëse flasin me fakte, ndërsa burrave u tregohet grushti”, duke nënvizuar se një gjuhë e tillë është e papranueshme nga një zyrtar i zgjedhur.

Ajo shtoi se reagimi i Lushtakut vetëm sa i ka dhënë më shumë kredibilitet Matoshit: “Urime kryetar, sapo ia konfirmove edhe një mandat Adrianës”.

“Nëse nuk të ka pëlqyer deri tash çka të ka thënë, prit çka do të thotë në katër vitet e ardhshme”, përfundoi Kusari-Lila, duke e cilësuar sjelljen e tij si të turpshme.

sqShqip