Në seancë të Qeverisë do të diskutohet mundësia e vendosjes së masave për çmimet e produkteve ushqimore bazë, nëse sektori përgjegjës për këtë fushë dorëzon një propozim të tillë. Një nga masat e mundshme do të ishte kufizimi i marzheve tregtare, deklaroi dje, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Gjatë një brifingu me gazetarët, Durmishi theksoi se situata me çmimet monitorohet çdo ditë dhe se vazhdimisht kryhen kontrolle inspektuese në terren.
Ai tha se nëse punonjësit e sektorit përkatës propozojnë masa shtesë dhe nëse vlerësohet se ato janë të nevojshme për të ndihmuar qytetarët dhe për të ulur çmimet, atëherë kjo çështje do të hapet në një seancë qeveritare.
“Do të diskutohet edhe se me çfarë përqindjeje duhet të veprojmë dhe cila do të ishte zgjidhja më e përshtatshme”, tha Durmishi.
Ministri shtoi se sapo propozimi të dorëzohet në Qeveri, të diskutohet dhe të merret vendimi, opinioni publik do të njoftohet për masat që do të ndërmerren.
Durmishi vlerësoi se vendi është përballur mirë me krizën falë masave të deritanishme të Qeverisë.
Ai pranoi se ka rritje të çmimeve, por theksoi se kjo është një krizë globale dhe jo vetëm e brendshme.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut ka çmimin më të lirë të karburanteve dhe inflacionin më të ulët, ndërsa rritja e çmimeve këtë muaj është vërejtur veçanërisht te pemët dhe perimet, për shkak të karakterit sezonal të këtyre produkteve.
Ministri theksoi se Qeveria do të vazhdojë të ndërmarrë masa për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve.

