Maqedoni

“Beteja” për Kumanovën në LSDM, Kostovski sfidon Dimitrievskin

Martin Kostovski, deputeti i LSDM-së nga Kumanova ka shfaqur publikisht ambicie për të garuar në zgjedhjet lokale për kryetar komune në Kumanovë, shkruan gazeta Lajm. Ai gatishmërinë e tij e ka shprehur përmes një shkrimi të shkurtë në Facebook.

“Nëse qytetarët e Kumanovës vlerësojnë se Martin Kostovski është zgjidhja më e mirë për “baba” të qytetit, unë me krenari dhe me shumë përgjegjësi do ta pranoj sfidën për të qenë kryetar i ri i Kumanovës”, ka shkruar në Facebook, Martin Kostovski, deputeti i LSDM-së nga Kumanova.

Në këtë mënyrë Kostovski i shpall “luftë” bashkêpartiakut të tij Maksim Dimitrievski, i cili është kryetar aktual i Komunës së Kumanovës. Dimitrievski nuk i ka raportet e mira brenda partisë, sidomos me ministrin e Brendshëm Oliver Spasovski, i cili është nga Kumanova. Kjo gjë i zvogëlon shanset e Dimitrievskit për të marrë mbështetjen e partisë për mandatin e dytë. Megjithatë, fjalën e fundit për kandidatin e LSDM-së për Kumanovën do ta thonë organet partiake./Gazeta Lajm