Maqedoni

Në Maqedoninë e Veriut mbi 800 milionë euro mallra më shumë importohen sesa eksportohen

Analiza ekonomike, ekonomi, para, denarë, maqedoni, varferi, page, rroge, buxhet

Në periudhën nga janari deri në prill të këtij vitit, në Maqedoninë e Veriut është rritur sasia e mallrave të eksportuara dhe importuara, por përsëri importi tregtar është më i madh për 803.8 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

“Vlera e përgjithshme e mallrave të eksportuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut, e shprehur në euro, në periudhën janar-prill të vitit 2021, është 2 278 124 000 euro”, raportojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Raportohet që eksporti në krahasim me periudhën janar-prill të vitit të kaluar është rritur për 40.8%, derisa importi për 34.5%.

“Vlera e mallit të importuar, në periudhën e njëjtë, është 3 081 929 000 euro, që është për 34.4 % më shumë , krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak”, raportojnë nga Enti, duke sqaruar që mbulimi i importit me eksport është 73.9%.

Këmbim tregtar më së shumti realizohet me Gjermaninë, duke shkëmbyer 1.5 miliardë euro, prej të cilave 321 milionë janë import. Në Kosovë eksporton 84.5 milionë euro, ndërsa importon 23 milionë; nga Bullgaria importon 124.7 milionë euro, ndërsa eksporton 88.9; në Serbi eksporton 73 milionë euro, kurse importon 196.9 milionë euro.