September 28, 2024
Maqedoni

Toshkovski: Dy të arrestuar për incidentin në Haraçinë

Dy persona janë ndaluar si të dyshuar për incidentin e së hënës në Haraçinë, ku dy persona mbetën të plagosur pasi u sulmua me armë zjarri kryetari i kësaj komune, Ridvan Ibrahimi.
Këtë e ka bërë të ditur ministri teknik i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, duke theksuar se nuk dëshiron të japë më shumë detaje për të mos e dëmtuar hetimet. Ndërkohë dyert e komunës së Haraçinës vazhdojnë të mbeten të mbyllura. Ndërsa kryetari Ibrahimi ende nuk ka dalë me ndonjë prononcim pas incidentit.
“Gjatë ditës së djeshme janë ndaluar dy persona për të cilët dyshohej, se janë të lidhur me rastin juridiko-penal. Në kuadër të veprimeve operative që janë marrë nga shërbimet në MPB, është konstatuar që njëri nga personat që u ndaluan, kërkohej me fletarrest, kjo u njoftua gjatë ditës së djeshme, dhe e njëjta do të procedohet sipas ligjit.”, – deklaroi ministri teknik i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, informon TVM2.