April 29, 2024
Maqedoni

Ka vende të lira të punës, por s’ka kuadro! Bexheti: Nevojiten ndryshime në Ligjin për Arsim

Numri i vendeve të lira për punë në Maqedoninë e Veriut sipas Agjencisë për punësim është 8119. Ndërkohë 106 618 persona janë paraqitur si të papunë, nga të cilët vetëm 47273 kërkojnë punë. Rektori e UEJL-së Abdylmenaf Bexheti thotë se universitetet duhet të ndjekin trendin e kohës edhe kjo mund të bëhet vetëm me reforma në arsim, ku universitetet do të prodhojnë kuadro që ju nevojitet tregut të punës.

“Sfidat janë edhe më të mëdha shkaku i karakterit të arsimit të lartë që është konservativ dhe shumë pak kapin ritmin e ndryshimeve ndërkohë që ndryshimet bëhen dita ditës më eksponenciale. Pastaj kemi edhe sistemin tonë rigid që nuk lejon të ndryshoni kurikulën në mënyrë ditore dhe ta përshtatni me fleksibilitet, andaj tani jemi duke punuar dhe kërkuar ndryshime të Ligjit të arsimit të lartë që kjo të iu jep liri universiteteve që ti referohen tregut të punës dhe në bazë të saj të përgatitin kuadrot adekuate”, theksoi Abdylmenaf Bexheti, rektor i UEJL-së.

Valon Sadiku nga Fondacioni gjerman Fridrich Hebert tha se pikërisht këto sfida, kanë detyruar fondacionin që në partneritet me UEJL-në por edhe Institucionet shtetërore që kanë të bëjnë me punësimin dhe tregun e punës, të zhvillojnë këtë debat, me qëllim që të shihen këto sfida por edhe tejkalimi i tyre.

“Është kënaqësi e veçantë sepse ne si Fondacion gjithnjë aktivitetet tona i organizojnë në partneritet me institucione dhe aktor lokal andaj për këtë temë veçanërisht jemi të kënaqur që gjetëm partner universitetin sepse këta janë që vazhdimisht kanë punuar dhe po punojnë në drejtim të përgatitjes së kuadrove të ardhshme apo profesionistëve sipas nevojës apo kërkesës së tregut të punës. Ajo që sot do e diskutojmë është sfidat në tregun e punës dhe ajo se cilat janë trendët dhe kërkesat e tregut të punës që për studentët janë informata shumë të rëndësishme për studentët sepse ata do jenë punëtorët e ardhshëm të tregut të punës”, tha Valon Sadiku, fondacioni “Fridrich Hebert”.

Në panel diskutimin e sotëm, morën pjesë edhe drejtues të pesë institucioneve të vendit, si Drejtoria për teknologji dhe inovacione, Enti për Punësim, Oda Ekonomike dhe të tjera.