May 17, 2024
Maqedoni

Taravari shpalosi platformën presidenciale, BE-ja, ShBA-ja dhe NATO-ja, aleatë të pazëvendësueshëm

Kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari, ka publikuar platformën e tij presidenciale. Siç tha Taravari, platforma e tij bazohet në katër shtylla të cilat paraqesin vizionin e tij për shtetin, informon TVM2.
“Platforma ime e përbashkuar paraqet vizionin tim për navigim në këto kohëra të turbullta, në të cilën presidenti i shtetit duhet të jetë aktor proaktiv në përballje me sfidat e njohura dhe ato të panjohura. Kjo platformë bazohet në katër shtylla të cilat përmbajnë edhe zotimet e mia konkrete, edhe atë një, RMV e integruar në rajon dhe Evropë; dy, RMV prodhuese e sigurisë; tre, RMV shtet i së drejtës dhe e katërta, RMV demokraci konsensuale.”, – deklaroi kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari.
Taravari në platformën e tij presidenciale paralajmëroi largimin e vendit nga Ballkani i Hapur. BE-ja, ShBA-ja dhe NATO-ja janë aleatët tanë të pazëvendësueshëm, thekson Taravari.
“Bazuar në nenin 121 të Kushtetutës do t’i propozoj Kuvendit daljen e menjëhershme të RMV-së nga nisma Ballkani i Hapur. Do të angazhohem për harmonizim të plotë të politikës së jashtme me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Është bindja ime e thellë dhe realitet i pamohueshëm që BE-ja, ShBA-ja dhe NATO-ja janë aleatët tanë të pazëvendësueshëm.”, – theksoi kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari.
Taravari njëherit theksoi se sistemi politik dhe i korruptuar i drejtësisë ka nevojë për reformim, përkatësisht ai paralajmëroi se do t’i propozojë Kuvendit reformimin e sistemit gjyqësor dhe Prokurorisë përfshi vetingun.
Vendi sipas Taravarit aktualisht përballet me krizë të trefishtë ekonomike, politike dhe etike. Këto kriza, sipas tij, e kanë polarizuar shoqërinë dhe kanë ndikuar në thellimin e ndasive, rritjen e euroskepticizmit, forcimin e narrativëve ekstremiste dhe minimizimin e demokracisë liberale dhe konsensuale.
Taravari njëherit theksoi se do të kërkojë zgjedhjen e presidentit në Kuvend nëpërmjet mekanizmit të shumicës së dyfishtë që presidenti të jetë përfaqësues i unitetit popullor.
Po ashtu ai theksoi angazhimin për heqjen e përkufizimit fyes të gjuhës shqipe si gjuhë që e flasin mbi 20%, por gjuha shqipe me alfabetin e saj të jetë gjuhë zyrtare në tërë territorin e republikës në nivel të barabartë me maqedonishten.