Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Rama dhe Zv/Kryeministren se po i bëjnë presion gjyqtarëve të Kushtetueses, me qëllim ndryshimin e masës së dhënë nga GJKKO-ja për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.

“Këta bashkëhajtudë shkuan në GJK për të përmbysur vendimin e ligjshëm të GJKKO. Po përdorin për këtë qëllim të gjitha mjetet e presionit ndaj kësaj Gjykate.”

Por teksa Edi Rama e cilësoi në prani të Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos unikal vendimin e dhënë nga GJKKO për zv.kryeministren, Berisha e sfidoi duke publikuar një listë me vendime të ngjashme në disa prej vendeve të Bashkimit Europian.

“Çfarë krimineli gjakftohtë është, mashtrim banal ordiner. Në vendet e BE, jo në një por në një numër rastesh, janë vendosur masat e pezullimit para vendimit përfundimtar nga gjykata dhe kjo ka ndodhur në Rumani, Itali, Francë, në Kroaci, në Spanjë. Ministrat janë pezulluar gjatë kohës që kanë qenë në hetim.”

Teksa krahasoi rastin e tij me atë të Ballukut, Berisha tha se qeveria po përdor standard të dyfishtë për vendimet e gjykatave.

“Kur unë i kundërshtova, Gjykata Kushtetuese, qeveria, parlamenti mbrojti se ajo është masë e drejtë që buron nga Kodi i Procedurës Penale dhe se deputeti nuk është i mbrojtur. Në atë kohë ua thashë, do kapni kokën me dorë, po le ta kapin, të shkulin kokë, hundë dhe vesh se e meritojnë.”

Edhe në këtë dalje para mediave, Berisha kërkoi sërish rivlerësim të akuzës për zv.Kryeministren, duke thënë se drejtësia duhet të nisë hetimet për grup të strukturuar kriminal.

sqShqip