Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Zagreb, ku është pritur nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović.
Vizita ka qëllim forcimin e marrëdhënieve dhe avancimin e partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Kroacisë.
Gjatë qëndrimit në Zagreb, ministrja do të zhvillojë edhe një takim bilateral, ndjekur nga një konferencë e përbashkët për shtyp, me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman.
Bisedimet do të fokusohen në përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, sidomos në fushat e energjisë, turizmit dhe infrastrukturës.
Një rëndësi të veçantë do të zënë projektet rajonale, përfshirë Korridorin Blu, Korridorin VIII, Nismën e Tri Deteve dhe zhvillimin e degës së gazsjellësit Adriatiko–Jonian, i cili pritet të forcojë lidhjet energjetike Kroaci-TAP.
Spiropali do të takohet gjithashtu me Komitetin për Çështjet e Jashtme të Parlamentit Kroat, ku pritet të diskutohet organizimi i takimit të parë ndërqeveritar (G2G), një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

