Kuvendi i Kosovës pritet të zhvillojë këtë të mërkurë, 19 nëntor, dy seanca plenare, ku vëmendja kryesore është tek votimi i qeverisë së propozuar nga Glauk Konjufca.

Në seancën e parë, që nis në orën 11:00, do të diskutohen disa marrëveshje ndërkombëtare dhe buxhete komunale.

Megjithatë, partitë opozitare kanë paralajmëruar bojkot të kësaj seance. LDK, PDK, AAK dhe NISMA kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë, duke e quajtur atë të thirrur me urgjencë dhe pa konsultim me subjektet politike.

Ndërkohë, në seancën e dytë, që pritet të fillojë në orën 14:00, deputetët do të votojnë Qeverinë Konjufca.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u mandatua më 4 nëntor nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e qeverisë së re. Ai ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për të shmangur zgjedhjet e reja në dhjetor, megjithatë opozita ka deklaruar se nuk e mbështet këtë qeveri dhe preferon që vendi të shkojë në zgjedhje.

sqShqip