Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje deputetëve nga të gjitha partitë që t’i themelojnë Komisionet Kuvendore, që ta votojnë Buxhetin e Kosovës, atë të RTK-së dhe Planin e Rritjes. Nuk ka asnjë arsye që këto procese të bllokohen, thotë Osmani.
“U bëj thirrje sërish deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të gjithëve, pavarësisht për cilën parti politike po flasim, sepse edhe herën e kaluar kam folur për të gjitha partitë politike, jo vetëm për disa, sepse të gjitha kanë përgjegjësi në kryerjen e këtyre punëve që të votojnë planin e rritjes dhe ta votojnë marrëveshjen me Bankën Botërore. Janë 1 miliard euro për qytetarët e Republikës së Kosovës, është një e katërta e buxhetit të Kosovës. Nuk ka asnjë arsye që këto procese të bllokohen. Kërkohet një votë e tyre, në interes të Kosovës, për të gjitha këto çështje. Nuk ka ndonjë filozofi të komplikuar në krijimin e komisioneve, gjë më të thjeshtë nuk ka. Thjesht duhet t’ua kërkojmë këtë gjë deputetëve, të gjithë deputetëve. T’u kërkojmë gjënë më të thjeshtë: të kryejnë punën e tyre dhe të realizojnë funksionin për të cilin janë zgjedhur.”, – deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani njëherësh është shprehur se ishte optimiste që seanca ku do të votohej për mandatarin e dytë për kryeministër do të thirrej më herët se sa të lihet në ditën e fundit të përfundimit të afatit, e që është 19 nëntori.
“Siç e dini, ftesa për seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve dhe jam e bindur që do të ftohet me kohë, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë. Në anën tjetër, unë nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati.”, – theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani nënvizoi se ajo vetëm ka respektuar Kushtetutën, ndërsa tha se për çështjen e bllokimit në krijimin e institucioneve janë partitë politike që e shkaktuan dhe krijuan vonesa për nëntë muaj.

