A kishte Zaev në plan ta bëjë Ermira Mehmetin nënkryetare të LSDM-së?
Ermira Mehmeti dhe Besa Arifi, janë dy emrat të cilat kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, u ka ofruar postin e nënkryetarit të partisë, merr vesh TV21 nga burime të tij.
TV21 u përpoq të konfirmojë informacionin edhe zyrtarisht, por nga të gjitha anët heshtje.
Ish-deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, na ktheu mesazhet përmes telefonit, por në to as nuk pohon e as nuk mohon lajmin, por vetëm “lut që të mos e kontaktojmë më sepse ka thënë çfarë ka pasur në politikë dhe për politikën”.
Nga ana tjetër, profesoresha universitare si dhe këshilltarja e jashtme e Presidentit aktual, Besa Arifi, nuk na ktheu mesazhet e as nuk iu përgjigj telefonata tona. Ajo është motra e nënkryetares së BDI-së, Teuta Arifi.
Nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë nuk duan të komentojnë. Thonë se nuk është mirë që tani pas kongresit të partisë së spekulohet me emra.
“Në situatë kur të gjitha pozitat në organet e partisë janë zgjedhur dhe janë tashmë në fillim të mandatit të ri, është mosmirënjohëse të spekulohet nëse dhe kush ishte kandidat i mundshëm ose jo për një post. Nëse dhe me kë është folur rreth mundësive për inkuadrim në LSDM gjithashtu konsiderojmë se nuk është adekuate dhe nuk do të komentojmë”, thonë nga partia në pushtet.
Nga ajo që burimet e TV21 tregojnë, mund të nënkuptohet se Fatmir Bytyqi nuk ka qenë opsioni i parë i Zaevit për nënkryetarin shqiptar të partisë, pra para propozimit të tij në këtë post, Zaev ka menduar për dy emra që drejtpërdrejt ose tërthorazi lidhen me Bashkimin Demokratik për Integrim.
Nënkryetarët e LSDM-së, vijnë me propozim direkt nga kryetari i partisë, gjë që parashikohet me statut. Para Fatmir Bytyqit, nënkryetar ishte Muhamet Zekiri./TV21